Prezantohet për komunitetin e Durrësit projektbuxhetit i vitit 2009 për këtë qytet

Prioritetet e projektbuxhetit të bashkisë së Durrësit për vitin 2009 u paraqitën sot para komunitetit, në një takimin të organizuar nga institucion në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Adrian Çela deklaroi për pjesëmarrësit se buxheti i vitit 2009 do të jetë 1.4 miliard lekë, nga të cilat 965 milion lekë parashikohet të sigurohen nga taksat vendore. Sipas Çelës, projektbuxheti i këtij viti parashikon ndërtimin e 5 km rrugë kryesore të reja dhe 7 km rrugë dytësore dhe anësore. Në 10 blloqe apartamentesh në lagjet 14, 15 dhe 18 do të krijohen mjedise të përbashkëta, me një sipërfaqe të gjelbër prej rreth 50 mijë metra katrorë. Gjithashtu ngritja e një çerdhe dhe një konvikti të ri për shkollat e mesme profesionale bëjnë pjesë në prioritetet e këtij viti. Pas marrëveshjes qeveritare me Bankën e Këshillit të Evropës autoritetet vendore të Durrësit kanë përfituar një kredi prej 3.5 milion euro për ndërtimin e 342 apartamenteve sociale, ndërtimi i të cilave do të përfundojë brenda vitit 2010. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako iu përgjigj më pas pyetjeve dhe vërejtjeve të qytetarëve për projektbuxhetin që do të paraqitet në këshillin bashkiak javën e ardhshme. Disa nga sygjerimet e qytetarëve ishin përfshirja në buxhetin 2009 e ndërtimit të një biblioteke të re, sistemimi i kanalizimeve në lagjet periferike, shtimi i hapësirave të gjelbëra etj, Vonesat në miratimin e paketës fiskale kanë shtyrë për më shumë se gjashtë javë diskutimin e projektbuxhetit në këshillin bashkiak.
...