Filmat shqiptarë në Festivalin e Filmit në Paris
Kinematografia kosovare prezantohet me filmin me metrazh të gjatë “Gomarët e kufirit” me regji të Jeton Ahmetajt dhe skenar të Jeton Nezirajt, i cili ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare.
Filmi konkretizon rrëfimin e vitit 1968, në një zonë kufitare mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ku një burim uji është vendi ku takohen njerëzit andej e këtej kufirit nën hijen e tytave të dy ushtrive armike. Së bashku me “Gomarët e kufirit”, Kosova prezantohet edhe me filmin me metrazh të shkurtër “Gjini” nga Korab Lecaj.
Në festivalin e filmit të Evropës Juglindore, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, marrin pjesë edhe Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.
Kinematografia shqiptare konkurron në Festivalin e Filmit të Evropës Juglindore në Paris që po zhvillohet që prej datës 12 prill, mes filmave nga 12 vende të rajonit.
Shqipëria merr pjesë me filmin “Kronikë provinciale”, me regji të Artan Minarollit dhe skenar të Ylljet Aliçkës, i cili sjell një histori sa komike dhe reale të periudhës së tranzicionit. Filmi trajton dukuri të jetës së përditshme, duke vënë përballë njëra-tjetrës tipare të ndryshme të karaktereve njerëzore.
Ai sjell historinë e një piktori, interpretuar nga Tedi Papavrami, i cili, pasi kthehet në vendin e tij dashurohet me një vajzë, që interpretohet nga Arta Dobroshi.
Në festival gjithashtu konkurrojnë dhe filmat me metrazh të shkurtër “Horoskop” nga Eljana Gjipali, “Dita e parë e shkollës” nga Dionis Papadhimitri dhe “100 kafé” nga Kleidi Eski.
Paraprakisht një këshill artistik i festivalit ka përzgjedhur për konkurrim 12 filma me metrazh të gjatë dhe 24 filma me metrazh të shkurtër e të mesëm, ndërkohë që ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet ditën e diele, më 17 prill, në kinemanë pariziane “L’Entrepot”.
Presidenti i nderit të këtij festivali është regjisori i njohur francez Iv Buasé, i cili drejton një juri me personalitete të njohura të kinematografisë e medias. (start)