Edhe një muaj paraburgim

Paneli gjyqësor në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, i përbërë nga gjyqtarët e EULEX-it, ka vendosur që ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestuar më 16 mars për rastin Kleçka t’u zgjasë edhe për një muaj paraburgimin dhe arrestin shtëpiak.
Po ashtu edhe të akuzuarit të nëntë për krime lufte, Arben Krasniqi, i cili u ekstradua dje nga Zvicra, i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.
Avokatja e Krasniqi, Fehmije Gashi-Bytyçi ka konfirmuar se klientit të saj i është shqiptuar kjo masë e paraburgimit, pavarësisht se mbrojtja kishte kërkuar që Krasniqi të mbrohej në liri.
“Gjyqtarët e EULEX-it kanë caktuar masën e arrestit shtëpiak, ku i mbrojturi ynë për një muaj do të qëndrojë në shtëpi në fshatin e tij Tërpezë”, ka thënë Bytyçi.
Sipas saj, Gjykata ka përcaktuar që Krasniqi mund të kontaktojë vetëm me familjarët e tij.
Ndërkohë, mbrojtja e të dyshuarve të tjerë ka paralajmëruar ankimim ndaj vendimit të gjykatës, përderisa nuk e ka përjashtuar mundësinë e kërkesës për përjashtimin e prokurorit të lëndës, Mauricio Salustro nga procesi gjyqësor.