E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi “Muaji i mjaltit” synon “Oscarin” e Evropës



Filmi “Muaji i mjaltit”, me skenar të Genc Përmetit dhe regji të Goran Paskaleviqit synon të rrëmbej çmimin që ndan Akademia Evropiane e Filmit, i cili në botën filmike konsiderohet si “Oscar” evropian. Bashkëproduksioni i parë filmik shqiptaro - serb në të cilin luan edhe aktori kosovar, Çun Lajçi, është kandiduar për çmim nga institucioni prestigjioz, Këshilli i Akademisë Evropiane të Filmit. Filmi shtjellon historinë e dy çifteve, njërit shqiptar dhe tjetrit serb që migrojnë në Perëndim në kërkim të një jete më të mirë. “Më vjen mirë që krijuesit evropianë të filmit kanë identifikuar kualitetet e filmit tim, para së gjithash humanitetin që bart ai”, ka thënë shkurt regjisori serb Paskaleviq, citojnë mediat serbe. Aktori kosovar, Çun Lajçi, kandidimin e filmit për “Oscar” evropian e ka cilësuar si një ndër sukseset më të mëdha që ka pasur “Honey moon” deri tani. “Do të thosha që ky është ndër krye sukseset e filmit, megjithëse është shpërblyer me disa çmime dhe është pritur mjaft mirë në vende të ndryshme”, ka thënë Lajçi. “Është një film shumë mirë i realizuar që trajton një temë sociale, i cili ka një kastë të mirë aktorësh dhe një dorë të mirë regjisoriale”, ka shtuar ai. Sipas rregullave, për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit garojnë 40 filma. 20 prej tyre kandidohen nga vende të njohura për vepra kinematografike. Prej secilit shtet, vetëm një film ka të drejtë të kandidohet. 20 filmat e tjerë i zgjedh Këshilli 15-anëtarësh i Akademisë Evropiane të Filmit, i përbërë nga emra të njohur kritikësh, teoricienësh dhe kineastësh botërorë. Këta 40 filma paraqesin të përzgjedhurit në rrethin e ngushtë të filmave të metrazhit të gjatë të krijuar në Evropë gjatë vitit të kaluar. Pas kësaj producentët 40 filmave të nominuar, në adresë të këtij institucioni me nam, dërgojnë 2 200 kopje filmash, nga një për secilin anëtar të Akademisë. Në fillim të shtatorit, pasi që të gjithë anëtarët e Akademisë i shikojnë këta filma, në mënyrë elektronike votojnë dhe pas kësaj bëhet ranglista në kategori të ndryshme, ashtu siç bëhet edhe për çmimin “Oscar”. Në këtë mënyrë nominohen nga pesë për secilën kategori. Pas kësaj bëhet rrethi i dytë i votimit që i paraprin ndarjes solemne të çmimeve. Në kuadër të Akademisë Evropiane të Filmit, çmim për filmin më të mirë të vitit paraprak ndan edhe Shoqata e Kritikëve Evropianë të Filmit - FIPRESCI. Ky çmim në vitin 1998 i është ndarë Goran Paskaleviqit për filmin “Fuçi baruti”. “Muaji i mjaltit” pas dhënies së premierës botërore vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Venecie ka korrur suksese të njëpasnjëshme. Ai ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Valladolid, ku kishte rrëmbyer tri çmimet kryesore të festivalit, çmimin e parë “Kalliri i Artë”, si dhe çmimin e publikut dhe çmimin ndërkombëtar të kritikës “FIPRESCI”. Filmi po ashtu ka bërë hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, në San Sebastian të Spanjës.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›