E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet pushuesi nga Tirana, trupi gjendet pas 5 orësh



DURRËS - Nxirret pas 5 orësh nga deti trupi i 45-vjeçarit nga Tirana, i cili u mbyt paraditen e djeshme në zonën e njohur si Gjiri i Lalëzit në Durrës. Viktima i identifikuar si shtetasi Kadri Hyseni nga Petrela, ka qenë duke pushuar në Gjirin e Lalëzit bashkë me familjen. Polumbarëve të Ministrisë së Brendshme u janë dashur më shumë se 5 orë për të nxjerrë nga deti trupin e pajetë të Kadri Hysenit për shkak dhe të turbullirave që ka pësuar deti ditët e fundit, pas ndryshimeve të motit. 45-vjeçari ka qenë duke u larë në det në momentin e mbytjes, ndërsa është pikasur nga të afërmit dhe pushuesit e tjerë, por pa arritur t’i shpëtojnë atij jetën. Sikurse në të gjitha plazhet e vendit, edhe në zonën e Gjirit të Lalëzit mungojnë rojet bregdetare që në rastin konkret mund të kishin parandaluar mbytjen e 45-vjeçarit, ndërsa pushuesit thonë se gropat nën ujë në këtë zonë janë të shumta dhe shumë njerëz kanë rrezikuar mbytjen.

Dhunohet polici, i shkatërrohet dhe shtëpia
LIBRAZHD - Dëmtohet banesa e një punonjësi policie dhe rrihet efektivi blu. Ngjarja ka ndodhur në rrethin e Librazhdit, në fshatin Sutaj, komuna Rrajcë. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme kur ata kanë marrë një telefonatë që i ka njoftuar. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore, të cilat kanë konstatuar se tre persona, konkretisht; Agim Halili, 49 vjeç, Taulant Halili, 19 vjeç dhe Shkëlqim Halili, 22 vjeç, që të tre banues në këtë fshat, në bashkëpunim dhe me njëri-tjetrin, kanë dhunuar banesën e punonjësit të policisë, efektiv pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Elbasan, 35-vjeçarit me inicialet Q. M. Por nuk ka mbaruar me kaq. Tre të dyshuari e kanë goditur dhe fyer atë.

Plagoset me thikë babai, po mbronte të birin

BERAT - Pas një sherri banal në rrugë një i ri nga Berati ka përfunduar i plagosur rëndë në spital. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, fare pranë spitalit rajonal. Elmaz Këlcyra, 41 vjeç dhe djali i tij 25-vjeçar po udhëtonin me makinë kur janë ndaluar nga 22-vjeçari Gentian Kanani. Ky i fundit ka nxitur konfliktin duke pretenduar se atë e bir po e shihnin me inat. Në grindje e sipër ai ka nxjerrë thikën duke qëlluar mbi 41-vjeçarin. I biri i këtij të fundit ka dalë nga makina dhe e ka qëlluar me levë në kokë. Më pas Kanani është ngritur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas dy orësh kërkime, policia ka arritur të arrestojë agresorin e njohur me pseudonimin "Malanxho", kontingjent i policisë dhe përdorues i lëndëve narkotike. Ndërsa i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›