Europa merr frymë pas testit të stresit
Financiar Times
Një pikë kthese mund të ketë arritur në krizën e borxhit të Eurozonës. Brenda pak ditësh, testet e stresit të bankave në Europë, pavarësisht të metave të tyre, kanë lehtësuar frikërat më të këqija të investitorëve. Çmimet e aksioneve janë rritur, tregjet e obligacioneve të vendeve përfshirë Spanjën po rriten, ndërsa kostoja e blerjes së sigurimit për një mospagim të borxhit ka rënë.
“Testi i stresit mund të jetë një moment domethënës”, thotë John Wraith, ekspert në “BofA Merrill Lynch”. “Ne jemi në një pozicion shumë më të mirë tani në krahasim me pak muaj më parë. Ne kemi arritur në një pikë ku jemi mjaft larg shpërthimit të tregjeve të obligacioneve në Eurozonë”.
Publikimet e rezultateve të testit të stresit pak ditë më parë për 91 banka, ku 7 dështuan, erdhën teksa besimi po fillonte të rikthehej në tregjet financiare të Eurozonës. Momenti, megjithatë, nuk mund të kishte qenë më i mirë. Efekti ishte si përforcues i energjisë në këtë rritje.
Aksionet financiare të Europës u rritën me 6.3% vetëm gjatë javës së kaluar. Kostoja për të siguruar bankat europiane ndaj mospagimit të borxhit ka rënë 15%.
Testet e stresit nuk ishin lajmi i vetëm pozitiv. Banka Qendrore Europiane bëri publike se blerjet nga ana e saj të obligacioneve qeveritare ishin ngadalësuar ndjeshëm çka ndikoi gjithashtu në rritjen e optimizmit.
Tregjet në disa vende të Eurozonës, që kishin probleme me borxhin, të cilat ishin afër mbylljes vetëm pak muaj më parë, nuk kanë më nevojë për mbështetjen artificiale të Bankës Qendrore. BQE bleu vetëm 302 milionë euro në obligacione qeveritare pak ditë më parë, blerja më e vogël vjetore që kur ajo filloi të blejë këto obligacione më 10 maj. Ajo ka blerë në total 60.5 miliardë euro.
Ringjallja e besimit të investitorëve është e dukshme, e reflektuar në një tkurrje të madhe të diferencës midis borxhit gjerman me afat maturimi 10-vjeçar dhe atij të vendeve periferike të Europës, që konsiderohen të brishtë për shkak të deficiteve të larta buxhetore dhe niveleve të mëdha të borxhit publik.
Obligacionet spanjolle, për shembull HYPERLINK "http://www.ft.com/cms/s/0/4e9de014-9a71-11df-87fd-00144feab49a,dwp_uuid=79cadde4-5c1b-11df-95f9-00144feab49a.html" l "#" , ishin një nga tregjet që kishin ecurinë më të mirë javën e kaluar, pjesërisht për shkak të transparencës së Madridit lidhur me testet që iu bënë bankave të saj. Diferenca me obligacionet e Gjermanisë u tkurr me 20 pikë bazë në 147 pikë bazë.
Ankandet e qeverive të Eurozonës kanë qenë nxitëse. Portugalia emetoi obligacione me afat maturimi 4-vjeçar që kishin një yield (interes) më se një pikë përqindjeje më të ulët në krahasim me ankandin që u zhvillua në qershor për të njëjtin maturitet. Yield-i mesatar ishte 3.62%, kundrejt 4.65% një muaj më parë. Spanja gjithashtu kishte ankande të suksesshme të bonove afatshkurtra.
Në fakt, për shumë investitorë, suksesi i obligacioneve 10- vjeçare sindikatë në muajin korrik ishte sinjal për të filluar sërish blerjen e borxhit periferik. Edhe kthimi i Kinës në tregjet e borxheve të Eurozonës pas dy muajsh boshllëk, u pa si shenjë pozitive.
Madje edhe Greqia u kthye në tregje, duke shitur bono thesari me afat të shkurtër maturimi, për herë të parë që kur u shpëtua nga komuniteti ndërkombëtar në fillim të majit.
Fitimet nxitëse nga HYPERLINK "http://markets.ft.com/tearsheets/performance.asp?s=ch:UBSN" UBS dhe HYPERLINK "http://markets.ft.com/tearsheets/performance.asp?s=de:DBK" Deutsche Bank po ashtu dhe një lehtësim i rregulloreve të propozuara të Basel III lidhur me bankat kanë ndihmuar pozitivisht. Për më tepër, të dhënat e fundit ekonomike në Europë kanë qenë mbështetëse.
Por rreziku nuk ka kaluar
Por investitorët, gjithsesi, nuk e kanë ulur vëmendjen. Shumë nga rreziqet, përfshirë mundësinë e një mospagimi të mundshëm të borxhit kombëtar, që i nxitën menaxherët e fondeve të dalin nga tregjet gjatë muajve të parë të vitit, mbeten sërish.
Tregu mund të ketë tashmë më shumë njohuri rreth rezistencës së bilanceve të bankave, por shumë institucione po përpiqen ende të hyjnë në tregjet e financimit me shumicë, të cilat janë jetësore për financimet e tyre.
Andrew Balls, kreu i Investimeve Europiane në “Pimco”, thotë: “Testet e stresit mund t’u kenë dhënë tregjeve një rritje, por ato nuk janë një ndryshues loje”.
“Testet nuk e kanë zgjidhur problemin e bankave, të cilat mbështeten tek BQE-ja për likuiditet”, shprehet ai. “Bankat ende kanë nevojë për të rritur kapitalin dhe testet nuk e kanë zgjidhur problemin e dinamikës së borxheve në Europë. Optimizmi mund të venitet me shpejtësi”.
“Standard & Poor’s”, agjencia vlerësuese, paralajmëroi javën e kaluar se shumë banka dhe institucione të dobëta në periferinë e Eurozonës mund të përballeshin me vështirësi rifinancimi, teksa mbështetja e qeverisë dhe bankave qendrore po tërhiqej. Kjo mbështetje mbetej thelbësore për shumë institucione në Portugali dhe Spanjë.
“Shqetësimet bankare në Europë po gërryejnë besimin mbi aftësitë e shlyerjes së kredive kombëtare, që në këmbim po redukton kapacitetin real dhe të perceptuar të qeverive për të mbështetur bankat e dobëta”, tha Scott Bugie, analist krediti i “S & P”.
Nevojat kolektive të financimit të bankave europiane janë të mëdha, thotë “S & P”, që vlerëson se detyrimet e tyre mund të jenë më shumë se 30,000 miliardë euro. “Kanë ikur ato ditë kur bankat mund të merrnin hua me norma më të ulëta sesa korporatat industriale me renditje të ngjashme kredie dhe afat të ngjashëm maturimi, tha agjencia.
“Kriza është larg fundit”, thotë Ben May, ekonomist europian në “Capital Economics”. “Pa mbështetjen e Bankës Qendrore, bankat do të përpëliteshin të mbijetonin dhe po kështu do të bënin dhe ekonomitë e Eurozonës”.
6 Gusht 2010