E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet dermatologia Entela Shkodrani:”Rreziku nga kanceri i lëkurës,si të mbrohemi”



Lizeta Duro

Mjekët dermatologë japin këshilla sesi duhet mbrojtur lëkura nga ekspozimi i tepruar në diell dhe si duhet trajtuar në rastet e djegies. Entela Shkodrani, mjeke dermatologe në Pavijonin e Dermatologjisë në QSUT tregon disa nga masat që duhet të marrim përpara se të ekspozohemi në diell dhe si duhet ta trajtojmë lëkurën nëse jemi djegur nga ekspozimi i tepruar në rezet ultraviolet. Në Pavijonin e Dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shtrohen vetëm pacientët që kanë probleme kronike me lëkurën. Shqiptarët akoma nuk janë emancipuar porsa i përket trajtimit të problemeve të lëkurës, mbrojtjen e saj nga rrezet e forta të diellit dhe parandalimin nga dëmtimet që mund t’i shkaktojë ai. Këtë fakt e konfirmojnë edhe mjekët dermatologë, të cilët shprehen se zakonisht shqiptarët janë neglizhencë dhe iu drejtohen mjekëve dermatologë vetëm në rastet kur kanë probleme.

A mendoni se shqiptarët janë të informuar për rrezikun që u kanoset nga ekspozimit në diell apo i drejtohen mjekut dermatolog vetëm në rastet kur kanë probleme?

Në përgjithësi shqiptarët janë më neglizhentë dhe ende në masë nuk ekziston kultura e duhur për trajtimin e problemeve të lëkurës nga dielli, pra për fotoproteksionin. Në përgjithësi drejtohen tek mjeku dermatolog për t’i zgjidhur problemet e tyre dhe jo për t’i parandaluar. Pra në rastin konkret për të trajtuar njollat e diellit, për të eleminuar tharjen e lëkurës dhe për të zbutur disi rrudhat e shkaktuar nga ekspozimi pa fotombrojtës. Vihet re një interesim i tepërt për të frekuentuar kabinat solare për nxirrjen uniformë pa kontaktuar më parë me mjekun dermatolog për llojin e lëkurës për fototipin e duhur dhe për SPF-në përkatëse individuale.

Cilat janë problemet që shkaktohen në lëkurë nga ekspozimi në diell?

Dëmtimi më i dukshëm që dielli mund të shkaktojë në lëkurën tonë është: shtimi i pigmentit dhe formimi i njollave në zona të caktuara, kryesisht në fytyrë, të cilat i quajmë lentigo solare. Në përgjithësi njollat nuk kanë lidhje me moshën por me ekspozimin e zgjatur ndër vite në diell pa përdorur kremrat mbrojtës. Këto njolla më evidente janë te personat që kanë fototipin I dhe II të lëkurës. Pra personat me lëkurë të çelët, bionde, digjen më me lehtësi në diell. Gjithashtu rrezet ultraviolet mund të shkaktojnë edhe njolla të bardha të vogla kryesisht të lokalizuara në ekstremitete. Ekspozimi i tepërt ne rrezet ultraviolet mund te shkaktoje efekte te padëshirueshme në lëkurë ndër të cilët mund të përmendet si tharja e tepërt e saj apo dehidrimi i cili manifestohet me thellimin e tepërt të rrudhave ekzistuese, ashtu dhe hollimi i lëkurës në vende të caktuara i cili shkakton shfaqjen e rrudhave të reja të holla. Një manifestim tjetër i efekteve të padëshiruara të diellit është teleangioektazia apo zgjerimi i vazave të vogla të gjakut (kapilarëve) kryesisht në fytyrë.

Çfarë masash duhet të marrim për të mos u djegur nga dielli?

Mënyra me e mire për te mos u djegur nga dielli është përdorimi i kremrave mbrojtës të cilat njihen me emrin kremra SPF (Sun protecting factor) apo ne shqip faktorë mbrojtës nga dielli. Përbërësit e këtyre kremrave ndahen në: 1. përbërës që bllokojnë fizikisht rrezatimin dhe 2. përbërës që absorbojnë rrezatimin. Bllokuesit e rrezatimit janë mjaft të efektshëm në reduktimin e ekspozimit të lëkurës si nga rrezet UVA dhe nga rrezet UVB. Përbërësit e vjetër të këtyre formulave si oksidi i zinkut ishin opake dhe në përgjithësi estetikisht nuk kanë qenë të pëlqyeshëm por tani janë përpunuar disa formula të reja që përmbajnë dioksid titaniumi të oksiduar të cilat nuk janë opake dhe kanë një efekt mbrojtje dhe estetik të shkëlqyer. Përbërësit absorbues ndaj rrezatimit ndahen në 1. absorbues të rrezeve UVA dhe absorbues ndaj rrezeve UVB. Pikërisht efekti i tyre është thithja e rrezeve ultraviolet duke bërë të mundur eliminimin e kontaktit të rrezeve ultraviolet me lëkurën.

A janë rrudhat pasojë e ekspozimit në diell?

Po, një nga faktorët që ndikon më shumë në formimin e rudhave është dhe ekspozimi në diell, sidomos në orët e pikut. Kjo për shkak të zzgjerimit të vazave te vogla te gjakut apo siç quhen ndryshe kapilarët.

Çfarë këshillash mund të na jepni për djegien e lëkurës? Si duhet ta trajtojmë atë?

Pavarësisht nga shkalla e djegies që mund të këtë një person është e këshillueshme të kontaktohet mjeku më i afërt që mund të japë ndihmën e duhur, mundësisht mjek dermatolog. Që në momentin e parë dhe më tej kontakti sa më i afërt me mjekun dermatolog i cili do rekomandojë trajtimin. Nuk do këshilloja përdorimin e produkteve shtëpiake qoftë dhe për efekt lehtësues deri në kontaktin me mjekun për shkak të sterilitetit të lëkurës së prekur.
Cilat janë pasojat që shkakton djegia nga dielli nëse nuk tregohemi të kujdesshëm?

Që dielli mund të shkaktojë kancerin e lëkurës është një fakt i njohur tanimë nga të gjithë. Këto janë dhe pasojat më fatale nga ekspozimi i tepërt dhe i pakujdesshëm në djell. Pasoja që shpesh rezultojnë të jenë fatle. Kancerët kryesorë të lëkurës janë melanoma, kanceri bazoqelizor dhe kanceri spinoqelizor. Melanoma është kanceri i nishaneve dhe sic dihet origjinën e tij e ka nga melanocitet e lëkurës. Nga të tre llojet e kancerit është më i rrezikshmi pasi është mjaft metastatik dhe përhapet në mënyrë të shpejtë në të gjithë trupin. Kanceri bazoqelizor është forma më e shpeshtë e kancerit të lëkurës i cili nuk metastaton por invadon gjithnjë e më tepër indin në të cilin është vendosur. Ky lloj kanceri vendoset kryesisht në vëndet e ekspozuara dhe ne njerëzit që qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell si pushuesit që frekuentojnë plazhet dhe ekspozohen në diell në orët e pikut ashtu dhe fermerët apo punëtorët e ndërtimit. Ndërsa kanceri spinoqelizor është forma e dytë më e shpeshtë e kancerit dhe në ndryshim nga kanceri bazoqeizor është metastatik por jo aq sa melanoma. Vendoset në pjesët e eskpozuara por më tepër prek veshin dhe buzën.

Gjatë sezonit veror bashkë me nxirjen, në trupin tonë vëmë re disa njolla në formë nishanesh por më të vogla. Cila është arsyeja e krijimit të njollave në trup apo në fytyrë?

Njollat që krijohen në trup e sidomos në fytyrë janë si pasojë e ekspozimit të tepërt në diell. Këto njolla quhen lentigo solare dhe kanë një frekuencë të njëjtë shfaqje si ne burrat dhe ne gratë. Këto njolla janë më të shumta ne individët me lëkurë të bardhë ne të cilët lëkura e ka aftësi më të madhe për të formuar pigment. Ky pigment nuk mund të shpërndahet në mënyrë uniforme pavresisht fotoproteksionit. Për të parandaluar shfaqjen e njollave të diellit duhet evituar ekspozimi në diell në oraret e rrezikshme si nga ora 10-3. Duhen mbajtur veshur rroba të lehta me ngjyrë të celët, kapele dhe duhen përdorur kremrat fotombrojtëse SPF 30 UVA dhe blokuese UVB.

Pse femrat preken më shumë nga njollat në raport me meshkujt? Ka ndonjë arsye të veçantë për këtë?

Është mëse e ditur që tek femrat një arsye tjetër e cila stimulon shfaqjen e lentigove solare është marrja për një kohë të gjatë e medikamenteve dhe nënshtrimi i terapive të ndryshme mjekësore. Gjithashtu një tjetër arsye e rëndësishme është dhe predispozita më e madhe e femrave pë të bërë solare. Kohët e fundit edhe në Shqipëri është mëse e modës sidomos për femrat pra, perdorimi i rrezeve ultraviolet artificiale, apo kabinave solare të cilat janë një factor tjetër i shtimit të njollave në trupin e tyre.

ǒfarë janë rrezet ultraviolet?
Rrezet ultraviolet ndahen në disa kategori në varësi të gjatësisë së valës. Rrezet UVC absorbohen në atmosferë dhe nuk shkaktojnë demtim të lëkurës. Rrezet UVB në përgjithësi shkaktojnë dëmtime vetëm në shtresën sipërfaqësore të lëkurës, në epidermë, dhe janë shkaktare për diegiet në diell. Rrezet UVB nuk depertojnë përtej xhamit dhe intensiteti i tyre ndryshon në varësi të orarit ditor dhe sezonit. Ndërsa rrezet UVA penetrojnë më thellë në lëkurë dhe efekti i tyre është më intensiv. Intensiteti i rrezeve UVA është më konstant se rrezet UVB pa variacione nga stina apo orari ditor. Gjithashtu rrezet UVA kalojnë nëpërmjet xhamit.

Çfarë përfaqëson SPF?

Faktori mbrojtës ndaj diellit tregon pikërisht sasinë e rrezeve UVB të absorbuara nga kremi por nuk ka asnjë metodë për të treguar sasinë e rrezeve UVA të absorbuara. E vetmja mënyrë për të parë nëse një krem është absorbues si UVA, si UVB, është përmbajtja e tij. Kremi duhet të ketë disa ingredientë të domosdoshëm si avobenzoni, dioksid titaniumi dhe oksidi i zinkut. Ka mjaft rëndësi edhe mënyra e aplikimit të kremit mbrojtës, shumë njerëz aplikojnë pak krem, vetëm 25% apo 50% të sasisë së rekomanduar. Kremi duhet përdorur në sasi të konsiderueshme për të formuar një film mbrojtës në gjithë zonat e ekspozuara, prej së paku gjysëm ore përpara ekspozimit në diell. Është më e këshillueshme përdorimi i përditshëm i kremrave me një filtër të vogël SPF 15. Gjatë gjithë vitit për mbrojtjen e lëkurës nga efektet e dëmshme të diellit duhet përdorimi i një kremi me SPF relativisht të lartë ndërsa për në verë me një filtër p.sh. 50.
Është mirë që kremrat mbrojtës nga dielli duhen përdorur edhe në periudha të tjera të vitit. Në varësi të rrezatimit diellor, kuptohet që faktori SPF do jetë më i vogël në vartësi të efektit që ne dëshirojmë të arrijmë nga kremi. Këtu përjashtohen disa njerëz që vuajnë nga probleme kronike të lëkurës si Lupusi discoidi apo Akne rosacea, të cilët përdorin gjatë gjithë vitit një krem mbrojtës me SPF me të madh se personat e tjerë.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›