Filmi blasfemik, vritet ambasadori amerikan në Libi dhe tre zyrtarë
Ambasadori amerikan në Libi, Chris Stevens, një zyrtar i ambasadës dhe dy marinsa janë vrarë mbrëmjen e djeshme kur persona të armatosur sulmuan konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Benghazi, qytet në Lindje të Libisë. Protesta ka nisur në shenjë pakënaqësie pas shfaqjes së një filmi, që popullsia vendase pretendon se ka fyer profetin Muhamed. Persona të armatosur me granata hynë me dhunë në ndërtesë e më pas i vunë flakën. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i zyrtarit të vrarë.
Në një deklaratë menjëherë pas ngjarjes, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u shpreh se ishte shumë e trishtuar për këtë humbje tragjike. ”Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje të qëllimshme për denigruar besimin fetar të të tjerëve, por më lejoni të jem të qartë: Nuk ka justifikim për veprime të këtij lloji”,-tha ajo.
Një ditë më parë, një protestë e ngjashme ndodhi në Kajro. Filmi që ka ngjallur reagime të ashpra titullohet Pafajësia e Myslymanëve dhe është realizuar nga izraeliti 54-vjeçar, Sam Bacile, me banim në Kaliforni, i cili njihet për pikëpamjet e tij anti-islamike. Filmi ka shkaktuar reagime dhe në Kajro.
Një ditë pas këtyre trazirave regjisori ka deklaruar në një të përditshme amerikane Islami është një kancer. Pas ngjarjeve të fundit ai është detyruar të fshihet në një vend sekret. Duke folur në telefon për agjencinë Associated Press ka përsëritur qëndrimet e tij anti-islamike dhe se filmi i tij është një provokim politik për dënimin e besimit mysliman.
12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Filmi blasfemik, vritet ambasadori amerikan në Libi dhe tre zyrtarë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip