Tifozët e fituan ndeshjen e tyre, Lucerna, kryeqyteti i shqiptarëve
Pragndeshja
12 mijë shqiptarë pushtuan qytetin, atmosferë madhështore
Tifozët kuqezinj e kanë pushtuar Lucernën, duke e kthyer atë në kryeqytetin e shqiptarëve për një natë të vetme. Të gjithë bashkëkombësit tanë jo vetëm në Shqipëri, por edhe anembanë globit, mbrëmë kanë mbajtur frymën përpara ekraneve të televizorëve për të ndjekur sfidën e shumëpritur Zvicër-Shqipëri. Por më me fat ishin ata që ishin protagonistë të asaj atmosfere madhështore, spektakolare të më shumë se sa 12 mijë tifozëve në rrugët e Lucernës dhe më pas në stadiumin Swissport Arena. Që prej mesditës së të hënës, kur kuqezinjtë mbërritën në Zvicër, në vigjilje të sfidës së sotme, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Brazil 2014, Grupi E, qyteti i vogël zviceran i Lucernës u pushtua nga tifozët shqiptarë. Ata kishin mbërritur aty nga qytete të ndryshme të Zvicrës, por edhe nga të gjitha trojet shqipfolëse: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora, aq sa Lucerna duket si një Shqipëri Etnike e vogël. Hotelet, restorantet, baret dhe rrugët e Lucernës kanë qenë të mbushura me tifozë shqiptarë, të cilët, si asnjëherë më parë, kanë qenë kaq të shumtë në numër për ta mbështetur kombëtaren kuqezi. Makinat kanë udhëtuar me flamuj kuqezi rrugëve të qytetit. Rruga që të çonte për në stadium ishte e bllokuar nga fansat e Shqipërisë që mbanin të veshur bluza kuqezi, flamuj e shalle. Një atmosferë që nuk është ndeshur kurrë më parë. Një pjesë e tifozëve kuqezinj kanë vizituar kombëtaren zvicerane në grumbullim dhe kanë bërë foto me trajnerin Otmar Hitcfeld dhe me yjet shqiptare të kësaj skuadre. Ndërsa në momentin që skuadra e Zvicrës doli për stërvitjen para ndeshjes, u shoqërua me fërshëllima të shumta të tifozëve kuqezinj. Ndërsa duartrokitjet dhe brohoritjet për futbollistët tanë ishin sinjali i parë për ti bërë ata të ndihen vërtet si në shtëpi. Momenti i këndimit të himnit shqiptar ishte solemn për tifozerinë kuqezi, e cila e fitoi ndeshjen e saj me 12 mijë të pranishëm në stadium, duke i lënë zviceranët në minorancë. Behrami, Shaqiri e Xhaka nuk e kënduan himnin zviceran. Pa nisur ndeshja është shfaqur një flamur gjigant shqiptar dhe një pankartë e madhe, ku DigitAlb uronte gjithë shqiptarët për 100-vjetorin e Pavarësisë.
Tifozët e fituan ndeshjen e tyre, Lucerna, kryeqyteti i shqiptarëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip