Filmi i Jolie për Ditë të Evropës

Filmi trajton luftën në Bosnje e Hercegovinë. E gjithë ngjarja, në fakt, pasqyrohet nëpërmjet një drame dhe romance mes dy personazheve kryesore, që i përkasin dy popujve që në konflikt ndërmjet veti. Por, natyrisht se në film shtjellohen edhe të gjitha elementet e dhunës dhe të keqtrajtimeve të panumërta që u bënë nga ana e forcave serbe.
Menaxherja e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu, i tha agjencisë KosovaPress se dy personazhet kryesorë në film janë boshnjakët Goran Kostic dhe Zana Marjanovic, megjithëse në film luan edhe Rade Serbedzija, aktor ky i njohur serb nga Kroacia.
“Të tre këtyre aktorëve ne ju kemi bërë ftesë për të ardhur në Prishtinë, por ata e kanë pasur të pamundur që të jenë këtu në ditën e premierës”, sqaron zonja Vllahiu.
Përndryshe, sipas saj, nga ora 21 Kinemaja ABC ka organizuar shfaqjen e një premiere edhe për një pjesë të institucioneve në Kosovë, ndërkohë që nga dita e enjte filmi do të jepet edhe për të gjithë adhuruesit e tjerë të filmit, në dy terminë të rregullta, nga ora 20 dhe 22. Sipas znj. Vllahiu, filmi do të shfaqet deri më 23 maj, meqenëse më 24 maj do të shënohet deri 12-vjetori i punës së kësaj kinemaje.
Gjatë kësaj kohe, sipas znj. Vllahiu, kinemaja është përpjekur që të promovojë vlera, dhe pse gjatë gjithë këtyre viteve përveç sukseseve është përballur edhe me sfida të shumta, të cilat kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të dy ligjeve bazë - Ligjit për Kinematografinë dhe Ligjit për të Drejtat Autoriale. Mungesa e këtyre dy ligjeve i ka dhënë hovë zhvillimit të piraterisë dhe konkurrencën jolojale në treg, pohon znj. Vllahiu.