Bumçi sqaron idenë e qiradhënies
Ministri shqiptar i Kulturës, Aldo Bumçi, ka dhënë të martën sqarime lidhur me nismën e para disa muajve për dhënie me qira të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Edhe pse ai këtë nismë e ka cilësuar si të domosdoshme për jetësimin e monumenteve dhe për thithjen e fondeve, deputetët e opozitës këtë projekt e kanë quajtur të rrezikshëm, ngase ato lehtas mund të shndërrohen në “mejhane e qebaptore”.
Megjithatë, ministri Bumçi theksoi se nuk do të merret asnjë vendim për dhënien e monumenteve me qira pa iu nënshtruar paraprakisht një debati të gjerë dhe pa u shqyrtuar përvojat botërore. Madje, sipas tij, ende nuk është përpiluar një listë me numrin e saktë të objekteve të trashëgimisë që do t’iu jepen privatistëve me koncesion.