Filmi kundër islamit, frikë në Holandë
Irani, Pakistani dhe Indonezia dënuan të premten filmin e deputetit holandez, që akuzon Kuranin si nxitës dhune, ndërsa myslimanët e Holandës apeluan për vetëpërmbajtje. Kritiku i islamit, Gert Uilders, lançoi filmin e tij të metrazhit të shkurtër në internet. I titulluar "Fitna", një term arab që ndonjëherë përkthehet edhe "përleshje", filmi përmban imazhe të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe bombat islamike të cilat shoqërohen me vargje nga Kurani, libri i shenjtë i islamit. Filmi u kërkon myslimanëve të distancohen nga vargjet "urrejtje-nxitëse", ndërkohë që fillon e mbaron me një karikaturë të Profetit Muhamed, me një bombë në dorë, i shoqëruar nga tiktaku i saj. Karikatura e publikuar fillimisht në gazetat daneze ngjalli protesta të dhunshme në tërë botën dhe u pasua me një bojkot të produkteve daneze në 2006-ën. Shumë myslimanë e konsiderojnë vizatimin apo përshkrimin e Profetit, ofenduese. Irani e quajti filmin monstruoz, blasfemik e anti-islamik dhe u kërkoi qeverive evropiane të ndalojnë shfaqjen e tij. Pakistani, ndërkohë, ka kërkuar sqarime nga ambasadori holandez. Indonezia, vendi me popullatën më të madhe myslimane në botë dhe një ish-koloni holandeze, gjithashtu e ka dënuar filmin. "Ne jemi të mendimit se filmi ka një shije raciste dhe se është një fyerje për islamin, i mbuluar me petkun e lirisë së shprehjes", tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. "Ne u kërkojmë indonezianëve të përmbahen". Liderët myslimanë në Holandë apeluan për qetësi dhe i kërkuan botës arabe të mos vërë në shënjestër interesat holandeze. Holanda është në fakt vendi ku jetojnë rreth 1 milion myslimanë, si pjesë e popullsisë prej 16 milionësh. Autoritetet vendase, gjithsesi, folën për një natë të qetë, në kontrast me zemërimin që përfshiu vendin pas vrasjes nga një militant islamik në 2004-ën, të producentit holandez Theo Van Gogh, që kishte bërë një film ku islami akuzohej se nxiste dhunën kundër grave. Zyrtarët holandezë të sigurisë, gjithsesi kanë rritur nivelin e alarmit në vend, për shkak të filmit të deputetit Uilders dhe perceptimit për një kërcënim në rritje të Al-Kaedës. Ndërkohë, sipas një sondazhi, në Holandë vetëm 12 për qind e popullatës mendojnë se filmi e prezanton islamin siç është në të vërtetë. 72 për qind mendojnë se ai tregon ekstremizmin e një grupi të caktuar të tij. Uilders është vënë nën mbrojtjen e policisë, për shkak të kërcënimeve të islamikëve, që pas vrasjes së Theo Van Gogh. Qeveria holandeze është distancuar ndërkohë nga Uilders dhe është përpjekur të parandalojë një acarim të mundshëm të situatës.