E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Rafik Hariri u vra nga "kriminelë"

Provat tregojnë se ish-kryeministri libanez, Rafik Hariri, është vrarë nga një rrjet kriminal, sipas grupit të hetuesve të Kombeve të Bashkuara. Asnjë i dyshuar nuk është përmendur, por hetuesit thanë se "rrjeti" e ka mbajtur Haririn nën vëzhgim që para vrasjes. Ish-kryeministri dhe 22 persona të tjerë mbetën të vrarë në një shpërthim në Bejrut, në shkurt 2005. Një kamion i mbushur me eksploziv shpërtheu në një stadium ku ai po takohej me mbështetës të tij. Hetimet e Kombeve të Bashkuara, në të shkuarën, kishin sugjeruar se zbulimi sirian dhe libanez kishte luajtur një rol kyç në vrasjen e tij, çka ishte mohuar nga Siria. Një panel i Kombeve të Bashkuara, i kryesuar nga ish-kryeprokurori kanadez, Daniel Bellemare, tha në raportin e 10-të mbi këtë rast, se tani mund të konfirmohet se mbi bazën e provave të mbledhura, një rrjet individësh vepruan në bashkëpunim për të kryer vrasjen. Komisioni sugjeron se ky rrjet ishte përgjegjës edhe për sulme të tjera kundër personaliteteve të larta libaneze dhe të paktën disa pjesë të rrjetit vazhduan të veprojnë edhe pas vrasjes së Haririt. Libani ka qenë i përfshirë në krizë dhe prej muajsh nuk ka një President, kjo për shkak të një beteje për pushtet mes fraksioneve pro dhe anti-siriane. Raportet sugjerojnë se është bërë progres në identifikimin e autorit të sulmit, në të cilin mbeti i vrarë Hariri. Gjithsesi, për momentin ka një sërë problemesh që pengojnë hetimin, përfshi gjendjen politike dhe ekonomike në Liban, si edhe mungesën e burimeve nga vetë Kombet e Bashkuara. Komisioni ka shfrytëzuar të dhënat e kriminalistikës dhe profilet e ADN-së në hetimin e tij. Kombet e Bashkuara ndërkohë po ngrenë një gjykatë, e cila shpresohet se do të gjykojë vrasësit e Haririt. Përveç se ishte një figurë dominante në politikën libaneze, në periudhën e pas përfundimit të luftës civile, në vitet ‘90 Hariri ishte edhe një manjat biznesi. Një miliarder i pasuruar me punën e tij, renditej ndër njerëzit më të pasur në botë. Vdekja e Haririt ka nxitur demonstrata e protesta gjigante në Liban, kundër sirianëve. Pavarësisht se ka mohuar përfshirjen, Damasku u dorëzua para presionit ndërkombëtar dhe ka tërhequr trupat e tij pas afro 30 vitesh pranie ushtarake në Liban. Hetuesit më herët kanë vënë theksin te lidhjet mes vdekjes së Kryeministrit Hariri dhe një numër sulmesh të tjera në Liban që nga viti 2004. Analistët, ndërkohë, thonë se Libani është vendi më i komplikuar politikisht dhe më i ndari mbi baza besimi, në tërë Lindjen e Mesme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›