Në derën e hapur të Toptanasve
Përtej derës së drunjtë, që të çon te shtëpia ku dikur ka jetuar Kapllan Pashë Toptani, duket pranvera. Ca lule të vogla kanë çelur bri oborrit me kalldrëm. Shefki Vogli thotë se në pranverë shtëpia (muzeu) ka më shumë jetë. Vizitorët e panumërt që vijnë për të parë këtë shtëpi karakteristike bëjnë qe ndryshe nga stina e ftohtë e dimrit ai të tregojë më shumë se dhjetë herë në ditë historinë e kësaj banese turistëve. Shefkiu ka studiuar për Histori. Ai beson se ky art kaq i vjetër është zgjedhja më e mirë që ka bërë dikur. Vazhdon të lexojë, duke hulumtuar më tepër në atë çfarë ka ekzistuar dikur. Historia, në një farë mënyre, është një pikë takimi me një botë tjetër. Një botë ku ti shkon shpesh me mendje dhe gjen shpesh pikëtakime me të tashmen. Në fund të fundit vetëm kohërat kanë ndryshuar. Jeta në thelb është po ajo. Një përpjekje e vazhdueshme për të gjetur dëshirat dhe rrallë ndodh që fati dhe dëshirat të takohen. Prej 9 vitesh Shefki Vogli, një burrë me shtat mesatar, me një kapele të zezë në kokë, jeton me historinë e këtij muzeu. Atij i duhet t‘u tregojë dhjetëra vizitorëve, që çdo ditë hapin portën e drunjtë të kësaj shtëpie, historinë e saj. Ta bëjë këtë ritual dhe atëherë kur ndihet brenda tij si dimri që sapo kemi lënë pas. Një çift të huajsh sapo ngjitën shkallët që të çojnë në katin e dytë. Ndërsa në oborr, një grup mësuesish kosovarë po futen në katin e parë, aty ku dikur kanë qenë punishtet. "Sapo të përcjell këta vizitorë dhe jam gati t‘ju tregoj shtëpinë", thotë Shefkiu. Ne besojmë se rreth 1100 objektet origjinale që ndodhen brenda këtij muzeu flasin vetë. Sigurisht që rrëfimi i Shefkiut e bën më të plotë përfytyrimin tonë për të shkuarën. Kjo banesë është më shumë se një pikë takimi me historinë. Nëse jemi mësuar ta kërkojmë historinë sa herë shkojmë në Krujë në ato objekte që na servirën në pazar (në të, tashmë është shumë e vështirë të gjesh gjëra vërtet të traditës) apo të kërkojmë të pathënat për Skënderbeun me muzeun që mban emrin e tij, në këtë shtëpi gjithçka është e vërtetë. Ora në këtë muze ka mbetur shekuj më parë. Kjo banesë karakteristike është ndërtuar në shekullin e 18-të. Ajo i përket familjes së Toptanasve, një familje me influencë gjatë asaj periudhe. I zoti i shtëpisë ka qenë një pasha dhe niveli ekonomik i saj duket nga ato objekte që sot na serviren. Kati i parë ka shërbyer si një ambient për të mbajtur bagëtinë dhe zejet e ndryshme apo punishtet. Kjo familje e prodhonte vetë vajin, po kështu dhe miellin. Interesant është fakti që këtu është tentuar të prodhohet edhe mëndafshi. Disa veshje të tilla grash të varura në katin e dytë të shtëpisë e tregojnë këtë. Ca shkallë të drunjta të çojnë në ambientet ku jetonte familja. Nëse do të shohësh nivelin ekonomik të një familjeje duhet të shohësh banjën e saj. Kjo fjali, që thuhet ende nga banorët e kësaj zone, shihet në mënyrën sesi Toptanasit kishin ndërtuar banjën. Brenda këtij muzeu ndodhet një banjë turke, e vetmja e këtij lloji e mbetur në Shqipëri. "Është një banjë me avull ose hamam, ku bëhej edhe masazh", thotë Vogli. Dhoma e grave dallohet për shumëllojshmërinë e punimeve të dorës, perdeve të bardha qëndisur bukur, jastëkët me forma, apo dhe një djep i mbetur shumë pranë një sënduku të madh, që dikur një dorë përkundte një foshnjë... Ka më shumë sentimentalizëm në këtë hapësirë, që dhe pse të çon shekuj më parë, me stilin oriental të ngjall më shumë ndjeshmëri. Një pasqyrë e madhe, ku zonjat e kësaj shtëpie shihnin veten para se të përballeshin me burrat nëpër shkallë... Interesant është dhe një pikturë murale në këtë dhomë. Në të dallohen gjurmë të myslimanizmit, por, gjithsesi, piktura mbart vlera unikale për vetë kohën që i përket. Ndërsa në dhomën e burrave ka më shumë heshtje. Ca armë të vjetra janë ende në mur, ndërsa bri një sofre të madhe ndodhet një oxhak i madh, i bardhë, i punuar me shumë kujdes. Në këtë dhomë gratë nuk lejoheshin të hynin. Ato mund të shërbenin nga një dhomë sipër kësaj hapësire, bri ca dritareve të vogla... Ka shumë rrëfime për këtë shtëpi. Por Shefkiu kërkon të ndalet te mënyra e jetesës.. Në këtë banesë mund të kenë jetuar rreth 22 veta, ndërsa në atë periudhë numri i pjesëtarëve të një familjeje, sipas Agos, ka kaluar dhe numrin 70-të. Muzeu është një oaz i madh koleksionesh të veshjeve dhe punimeve karakteristike të kësaj zone. Shefkiu tregon se të gjitha këto objekte që ruhen këtu nuk u përkasin vetëm Toptanasve, por janë mbledhur nga banorët e kësaj zone për ta bërë më të plotë historinë e asaj periudhe. "Kjo ndërtesë pasqyron nivelin kulturor dhe ekonomik të Krujës në një periudhë 300-vjeçare, pasi kjo banesë i përket vitit 1764", thotë Vogli. Ai tregon se veshjet janë kryesisht të traditës myslimane, pasi më vonë filloi influenca e lindjes. Tavanet janë të gdhendur në gur, mobiliet autentike, qilima dhe kostume tradicionale. Shallet e grave varur në korridor tregojnë dhe mënyrën e stolisjes së femrave në atë periudhë. Ngjyra që ende ruajnë shkëlqimin sot... Dhe pse godina është vetëm dy kate, nëse futesh në të, të duket se nga njëra dhomë në tjetrën je duke zbuluar labirinte të reja. Shefkiu tregon se ka shumë vizitorë, që pasi e kanë parë njëherë muzeun kthehen sërish. Vetëm disa ditë më parë ai ia ka treguar sërish historinë e kësaj shtëpie ambasadorit amerikan Withers dhe të shoqes. "Ambasadori e kishte vizituar më parë muzeun dhe solli për ta parë këtë objekt të rrallë edhe të shoqen", thotë ai. Janë me dhjetëra vizitorë në ditë që hapin derën e madhe të drunjtë të Toptanasve. Atë derë, ku përtej saj këto ditë marsi shihen lulet...