E Diel, 1 Nëntor 2026

"Big Brother" pret banorët e rinj

Surpriza të mëdha pritet të ndodhin sonte në mbrëmje në shtëpinë e "Big Brother"-it. Një prej personave të kandiduar do të dalë nga shtëpia, duke e çuar në tre numrin e personave të larguar. Por, surpriza më e madhe në shtëpi do të jetë futja e dy banorëve të rinj sonte, të cilët do të zbulohen në spektaklin e drejtuar nga Arbana Osmani në studio dhe Eno Popi te dera e shtëpisë. Këtë javë banorët do të duhet të kalojnë edhe provën e maratonës çiklistike të vendosur nga Vëllai i Madh. Ata kanë pasur në dispozicion gjithë javën, disa orë për të kapur një seri kilometrash për të mbërritur në Shkodër, Vlorë, Tiranë e Korçë, si dhe për të gjetur në secilin prej këtyre qyteteve monumentet e kulturës, pjatën e ëmbëlsirën tipike, si dhe disa elemente të veçanta të qyteteve përkatëse. Të gjitha këto surpriza do të mund të ndiqen sonte në mbrëmje në "Top Channel".

Profilet e personave të kandiduar

Astrit Sinakoli

Lindur në Kllojkë të Tiranës më 26.12.1972

Astriti vjen nga fshati Kllojkë i Tiranës. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Astriti jeton me prindërit dhe me nusen. Së bashku me të vëllanë kanë një bar-kafe të vogël në Kllojkë. Jeta e tij është kjo bar-kafe dhe mjedisi që e rrethon në fshat. Është njeri shumë familjar dhe ka një dashuri shumë të madhe për fshatin. Astriti shprehet se nëse do të ishte e mundur, pasi të mbaronte "Big Brother", do t‘i ofronte "Top Medias" një ide për një emision për të folur mbi problemet e fshatit, të cilin do të donte ta ideonte dhe drejtonte vetë.

Romina Shkreli

Lindur në Tiranë më 20.05.1987

Romina është aktualisht studente e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave Sociale. Njëkohësisht ajo punon part-time në një institut italian në Shqipëri, që merret me kërkime dhe sondazhe. Romina është një vajzë e re, e cila jeton ende me prindërit. Ajo ka qenë dikur aktiviste e lëvizjes "Mjaft" dhe i pëlqen që në të ardhmen të merret me politikë. Ka një pasion të madh për filmat horror. Pas aventurës së saj në shtëpinë e "Big Brother"-it ajo do ta shikonte veten e saj më shumë në politikë se sa në botën e spektaklit.

Ina Hoxha

Lindur në Tiranë, 24 vjeç

Ina ka kryer studimet e larta në Fakultetin Ekonomik në degën Menaxhim-Turizmi. Beqare. Ajo jeton me prindërit dhe vjen nga një familje e thjeshtë tiranase. Duke mos gjetur punë në profesionin e saj, ajo ka punuar për një kohë të gjatë përpara se të futej në shtëpinë e "Big Brother"-it, si shitëse në një dyqan në Tiranë. "Ëndrra ime më e madhe, thotë ajo, është të kem një punë të mirë për të jetuar, një familje të mirë, si dhe të kem dy binjakë". Do t‘i pëlqente shumë të futej në botën e spektaklit, pasi të mbaronte aventura e saj në "Big Brother".

Leonard Osmanlliu

Lindur në Tiranë më 31.01.1980

Leonardi është një njeri fare i thjeshtë. Beqar. Ai vjen nga një lagje e Tiranës së vjetër. Ka bërë shkollën e mesme "Partizani" në Tiranë. Ka qenë 10 vjet emigrant në Greqi, ku ka punuar si bojaxhi. Një fatkeqësi familjare e sjell atë në Tiranë në vitin 2007 për të mos u kthyer më në Greqi. Pasi erdhi në Shqipëri gjeti një punë si bojaxhi, punë të cilën e vazhdoi deri në momentin që u përzgjodh për t‘u futur në shtëpinë e "Big Brother"-it. Leonardi është një çun i thjeshtë tiranas, që kohën e kalon te lagjja e tij me shokët në kafene, duke parë sport e duke biseduar për hallet e përditshme të shqiptarëve. Ëndrra e tij më e madhe do të ishte të bëhej aktor, e pse jo aktor i "Portokallisë", pasi të përfundonte aventura e tij në "Big Brother".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›