Filmi triler i TVSH-së

Ka nisur tashmë xhirimet, si prodhimi më i ri i Televizionit Publik Shqiptar, TVSH-së, filmi serial i regjisorit Besnik Bisha.
I nxitur nga një ngjarje e vitit 1999, filmi thriller që titullohet “Millenium”, shtrihet nga vitet ’80 deri në 2000.
Një vajzë që vritet, një hetues i ri që kërkon të zbardhë ngjarjen, një shoqëri e tërë që zbulon problematikat e saj. I gjithë filmi vërtitet rreth një vrasjeje, por nuk bëhet fjalë për një film mirëfilli policesk. Në rrugën në kërkim të vrasësit, ai bën edhe një “skaner” të shoqërisë shqiptare, prej viteve ’80 në vitet 2000.
Sa i takon kastit të aktorëve, mes tyre dallon emra si Ndriçim Xhepa, Enea Zhegu, i njohur të gjithë për rolin e Tomkës, që shënon një rikthim në kinema, Ervin Bejleri, por edhe tri vajza bukuroshe: Olta Gixhari, Klea Huta dhe Eralda Hitaj, që pa dyshim do tërheqin vëmendjen e audiences.
Skenari i “Millenium” është ngjizur qysh 11 vjet më parë, në vitin 2002. Kishin kaluar tre vjet nga vrasja e mistershme e studentes vlonjate në Qytetin Studenti dhe në mendjen e skenaristit dhe regjisorit Besnik Bisha vërtitej pyetja: Përse duhet të vritet një vajzë e re? Ishte kjo ngjarje e mbetur pa autor, që u bë nxitja e një filmi, që sigurisht më tej ndoqi rrugën e një fiksioni të mirëfilltë. Ngjarja që do të trondiste jo vetëm Qytetin Studenti, do të ndodhte më 19 shkurt të vitit 1999. Pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti do të gjendej e masakruar 21-vjeçarja Kozeta Hyseni, studente e Fakultetit të Histori-Filologjisë, dega Letërsi. Një nga pistat e ngjarjes lidhej me funksionin e të atit, asokohe prokuror i Vlorës, çka nuk arriti të vërtetohej, ashtu si edhe pistat e tjera në të cilat u hetua. Edhe sot kjo ngjarje ka mbetur pa autor. Personi që mbrëmjen e 18 shkurtit do të thërriste vajzën poshtë konviktit, ka mbetur pa emër e pa fytyrë.
Regjisori Besnik Bisha thotë për “Panorama” se filmi nuk tregon historinë e Kozetës dhe çdo ngjasim me histori apo persona realë është një rastësi. Ai nuk ka investiguar mbi këtë ngjarje, por ka ndërtuar një histori nga e para. Por nuk mund të mohohet shkëndija që ka marrë nga kjo ngjarje e rëndë, e cila në vitet në vijim do të pasohej me të tjera vrasje dhe viktima femra, ende të pazbardhura, të mbetura pa autor. /Indeksonline/