Filologjiku, doktoratura në Histori dhe Gjeografi
Universitetet. Qeveria miraton 30 doktoratura në degën e Gjeografisë dhe 90 doktoratura për degën e Historisë
Gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar çeljen e ciklit të tretë të studimeve në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë përkatësisht në degët Histori dhe Gjeografi.
Për degën e Historisë programi i doktoraturës hapet në këto drejtime: Histori, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore "Doktor (Dr.) në Histori"; Arkeologji, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore "Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Arkeologji";
Marrëdhënie Ndërkombëtare, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore "Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Marrëdhënie Ndërkombëtare"; Trashëgimi Kulturore, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore "Doktor (Dr.) në Histori, me drejtim Trashëgimi Kulturore".
Në programin e doktoraturës në degën e historisë për vitin akademik 2009-2010, janë parashikuar këto kuota pranimi sipas drejtimeve: Histori 30 kuota; Arkeologji 15 kuota; Marrëdhënie Ndërkombëtare 30 kuota; Trashëgimi Kulturore 15 kuota. Të dy programet e studimit nisin veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009 - 2010. Kohëzgjatja e programit të studimeve të doktoratës është minimumi tri vite akademike, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.
Tarifa e shkollimit për këto programe studimi është dyqind mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, i Universitetit të Tiranës. Për sa i përket studentëve të trojeve qeveria ka vendosur që 10% të kuotave të propozuara të jenë për këtë grup studentësh.