E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çuli: Tani që s'jam në politikë

Diana Çuli për "Engjëj të armatosur": nuk është roman historik, nuk ka personazhe realë. Shkrimtarja në një intervistë për angazhimet larg politikës, përkthimet, mbrojtjen e të drejtave të grave. Për këtë të fundit, pohon se ka gjëra që shënojnë kthim mbrapa.


Shkrimtarja Diana Çuli u prezantua dje në Teatrin e Metropolit me romanin "Engjëj të armatosur" (Toena 2010) në prani të njerëzve të letrave. Romani ka njohur dy botime, më 2005 dhe më 2009. Debati nisi me ballafaqimin e opinionit të disave nëse është apo jo "Engjëj të armatosur" romani më i rëndësishëm i kësaj autoreje.


Publicisti Pirro Misha që nuk preferon kategorizime, e sheh si një roman me strukturë dinamike që zë një vend më vete në letërsinë shpesh skematike për luftën Nacional-Çlirimtare. Këtë letërsi Misha e ndan në kategorinë e letërsisë që e glorifikon luftën, të asaj që e denoncon luftën dhe në letërsi që as e denoncon, as e glorifikon. Thjesht kërkon të tregojë histori njerëzore, ku bën pjesë edhe vepra e Çulit.


Kritiku Virgjil Muçi i cili rilexoi një kritikë të tijën botuar më parë për këtë roman, kujtoi se librin e kishte marrë në duar dikur me një lloj frike. "Fakti që subjekti i këtij romani mbështetet mbi një ngjarje të jetuar, me heronj realë, kish fortë të ngjarë që t'i rrinte si këmishë force shtatit të romanit e fare mirë mund të shndërrohej në një handikap, duke e futur në një hulli që e degdisnin larg një vepre të mirëfilltë letrare dhe e privonin prej pasurisë së shprehjes në regjistra të ndryshëm që të jep arti i fiction-it", vijon më tej Muçi, duke i siguruar të pranishmit që Çuli i është larguar kësaj gracke.


Takimin e mbylli vetë shkrimtarja Diana Çuli që rrëfeu, për procesin krijues, vështirësitë që ka shkrimi i një romani për luftën. "Çdo vepër ka një histori. Ky roman ka historinë më të gjatë", pohoi Çuli. Vendosi ta shkruante veprën sepse "Lufta Nacional-Çlirimtare ishte një terren i përshtatshëm për të studiuar, dimensionin human të shoqërisë" dhe arsyeja e dytë i takonte vendit ku zhvillohen ngjarjet: "Bregu i Detit është një pasuri e madhe historish dhe figurash".

Nga ana tjetër kishte vendosur t'i linte pa përgjigje pyetjet: Përse komunizmi ynë ishte më i ashpër se komunizmi i vendeve të Lindjes? Përse duhet të ketë një fund tragjik një femër, e jo një mashkull?


"Engjëj të armatosur" është botuar në gjuhën italiane dhe pritet të botohet edhe në greqisht.
Në intervistën e mëposhtme, autorja flet për raportin e letërsisë me historinë, për kohën që po jeton në krijimtarinë e saj letrare, sidomos tani që nuk e ka më angazhimin politik. Në fund pak për aktivitetin e saj në mbrojtje të të drejtave të gruas. Çfarë ka ndryshuar në 18 vite.


Po t'i referohemi vendit ku zhvillohen ngjarjet, çfarë elementesh të tjerë autobiografikë ka tek "Engjëj të armatosur"?


Gjithmonë në roman pasqyrohet një sferë personale e autorit, që mund të jenë opinionet, interpretimet, njohja që ka për zonën. Unë e njoh mjaft mirë zonën për shkak të origjinës së nënës sime. Kam qenë afër legjendave, rrëfenjave, të gjitha historive të Bregut të Detit. Kjo është pjesa personale dhe shumë afër historive të luftës që ai bregdet ka përjetuar shumë.


Romani ngrihet mbi një ngjarje reale. Kush janë Aleksi dhe Dorothea e vërtetë?


Nuk ka personazhe realë. Është një roman i mirëfilltë letrar. Sigurisht që personazhet e mirëfillta letrare frymëzohen, ose pikënisen nga shumë ngjarje reale, por ata transformohen shumë kur kthehen në letërsi.

Është aluduar që historia e Aleksit dhe Dorotheas i ngjan tepër asaj të Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë.


Mund të gjesh përkime me personazhe realë.


Por personazhet e veprës përgjithësojnë, tipizojnë ngjarje të tilla të ngjashme që kanë ndodhur në atë kohë dhe personazhet të ngjashëm.


Unë kam bërë një roman të mirëfilltë letrar dhe sigurisht ka shumë ngjarje të luftës, apo personazhe të luftës të cilët më kanë dhënë një pikënisje për të krijuar personazhet e mi, por ata janë të ndryshëm në roman.


Çfarë raporti ka letërsia me historinë në këtë rast?


Subjekti ndërtohet mbi një rrethanë historike të përcaktuar për një periudhë kohe të shkurtër në një zonë të caktuar dhe trajton temën e sjelljeve, "të aktorëve", të atyre që ishin aktivë në Luftën Antifashiste, sjellje, qëndrimet dhe marrëdhëniet e tyre në këtë periudhë.


Ky është një sfond historik sepse ka gjermanë, italianë, partizanë, civilë. Padyshim që mua më duhej ta studioja shumë mirë historinë për të riprodhuar atmosferën e kohës.


Ky roman nuk vijon në rrjedhën e krijimeve të mëparshme. E kishit këtë synim qysh në nisje?


Unë kam bërë edhe një sprovë tjetër me romanin "...Dhe nata u nda në mes", i cili pasqyron një periudhë të caktuar historike, përmbysjen e madhe në vitet '90-të.


Ky roman është shkruar pas 15 vjetësh. Kuptohet, ka ndryshim dhe donte më tepër studim sepse ishte një periudhë që unë nuk e kam jetuar, kështu që më duhej ta studioja.


A e ndiheni e sigurt dhe e qetë në krijimtarinë tuaj pas 30 viteve?


E fiton këtë besim mbasi boton një libër dhe bëhet një takim si ky i sotmi, por ka edhe periudha të tjera, kur dëshpërohesh dhe thua që unë nuk realizoj dot një gjë të mirë. Ka edhe nga këto momente.


Tani që nuk jeni më në parlament, me çfarë e zini kohën që ua zinte politika?


Me atë që e kam mbushur para parlamentit. Në parlament kam qenë vetëm 4 vjet. Unë kam 30 vite që shkruaj dhe punoj, 18 vjet që drejtoj "Forumin e Pavarur të Gruas Shqiptare". Kam 20 vjet që përkthej letërsi të huaj, nga anglishtja, frëngjishtja dhe italishtja. Sapo kam mbaruar trilogjinë e Sartrit "Rrugët e lirisë". Nuk më del dita për të mbaruar punët e mia.


Çfarë ka ndryshuar në këto vite lidhur me të drejtat e gruas?


Kjo është një temë tjetër shumë e gjatë. Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar për mirë dhe ka shumë gjëra që mund të kemi edhe kthim mbrapa. E para është liria. Gruaja dhe vajza mund të vendosin vetë për fatet dhe për jetën e tyre.


Dhe legjislacionin e kanë të përshtatshëm për këtë gjë. Çështjet e vështira mund të jenë një lloj vetëndërgjegjësimi për ta shfrytëzuar këtë liri që kanë dhe këto ligje në favor të tyre. Ka shumë mundësira për vajzat e reja, të cilat janë të afta dhe me kapacitete për të çarë në jetë. Por ka një ndryshim shumë të madh, ndaj zonave rurale dhe zonave urbane.


Një vajzë që jeton në fshat nuk ka të njëjtën jetë, as të njëjtat mundësi me një vajzë që jeton në qytet. E ka jetën shumë më të ngushtuar, hapësirat i ka më të vogla, mundësitë për t'u shkolluar, për të ecur përpara. Ka më shumë patriarkalizëm dhe konservatorizëm sesa në qytet. Kështu që kemi një hendek shumë të madh që duhet ta zvogëlojmë.


Ku jemi kthyer pas?


Ka rifilluar, në zonat rurale sidomos, një lloj konservatorizmi. Vajzat pasi mbarojnë shkollën fillore, nuk i çojnë më në shkollë. Shumë gra që janë të papuna mbyllen në shtëpi. Ky është një handikap.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›