E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia në përputhje me artin

Një vepër artistike nuk identifikohet vetëm në përmbajtjen e saj, ajo lidhet me formën estetike. Uniteti estetik i një zhvillimi shpirtëror që bënë një thirrje përsosmërisë së zhvilluar artistike, trupëzohet në veprat e krijuesit Suad Rama që u ekspozuan të hënën në Galerinë e ministrisë së kulturës në Prishtinë.

“Filozofia e të shprehurit”, një titull simbolik, me karakter të shëndetshëm, që shpreh mesazhin, thellësinë, jetën intime. Këtu filozofia nuk na vije si arsyetim i thellë për dukuritë e jetës, por fuqizim i temës, mendimit, lojës së zhvilluar në mes artit. Kockat, gjymtyrët e ndryshme të trupit, kanë humbur orientimin dhe janë plasuar në pjesëza të ndryshme të kompozicionit.

Skena reflekton njohje, bëhet e sinqertë me komunikimin e brendshëm, me personazhin e shpërfaqur dhe me vrojtuesin i cili pranon ashtu si ja thotë mendja. Me forcën emocionuese surrealiste, arti i Ramës është në gjendje të reflektoj me çdo qëndrim kohor, që nuk shpreh ndonjë narracion, përsëritje, monotone ditore, por praktikë shpirtërore, fantazi të idealit. Vlerat e mirëfillta janë të qëndrueshme që krijohen përmes ideve. Ngjyra është një kryengritje e cila i jep shpirt skenës dhe futet në anët më të thella të jetës të secilit vëzhgues.

Në thelbin e dukuria, ai përpiqet të zbulojë, esencën mesazhin e ngjarjeve. Filozofia në raport me artin kanë specifikën e tyre si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Arti nuk i nënshtrohet filozofisë ngase filozofia i peshon gjërat. Filozofia figurizohet, sepse për tu kuptuar mendimi duhet ta ketë figurën, atë e krijon piktori me ndërgjegjen shoqërore apo individuale.

Ideja filozofike shndërrohet në ide estetike, bashkohet me artin dhe bëhet tip i veçantë formash. Figurat e portreteve të gjymtuara, lëvizin, tentojnë ta shpërthejnë pëlhurën, dhe të brohorisin në publikë, duke ndarë të mirën, të keqën, ose të krijojnë lojën nëpërmjet këtyre dy fenomeneve. Idetë e realizuara janë tërheqëse, të panumërta, konkrete dhe përdorin mënyrë estetike një përmbajtje ideore filozofike. Në art ka gjithnjë vend për filozofi ngase aty pasqyrohen aspekte njerëzore qofshin ato estetike apo tragjike, dramatike, fenomenet gjithnjë puthiten me lojën dhe dirigjimin e filozofisë dhe artit.

Në këtë rast imagjinata e krijuesit e pasionuar, jep mbresa plot jetë, të dashura, me ngjyra të veçanta të errëta, pafundësisht të larmishme dhe të dërgojnë në një ekstazë, që përpiqesh ta gjesh pikënisjen, por tretesh prapa lirisë së artit modern. Mendimin edhe ndjenjën, ë përziejmë në mes imazhit i cili zgjon relacion, komunikim të drejtpërdrejt. Zhurma, bëhet e fortë atëherë kur vërtetësia e ndjenjës është spërkatur edhe objektivisht me subjektin ireal të temës dhe ngjyrës.

E padukshmja gjatë të jetuarit e cila mban trupin gjallë (eshtrat) vërtiten si një ideologji e vërtetë, që jetojnë me zhdukjen e mishit. Kockat nuk treten, por ringjallen përfaqësojnë atë botën shpirtërore, depërtojnë natyrshëm, dhe estetikisht në artin vizual apo konceptual. Koncepti është natyral i modernizmit ose postmodernizmit. Në asnjë mënyrë krijuesi Rama nuk fsheh shkaqet e vërteta sociale apo estetizon të ultën e të shëmtuarën. Bukuria nuk është formale edhe pse mungojnë detajet e fytyrës apo të gjymtyrëve të tjera, përkthimi shpirtëror shkakton ekstazë ndijesore. Tablotë janë krijuar me vetëqëllim të pavarura nga morali, grishin pëlhurën dhe na japin dimensionin e tretë iluziv në perspektivë.

Arti i tij është pafundësisht filozofik, që nxjerr mendime, polemika, konkluzione praktike që kanë lidhje me jetën ngase bazohen në dy mundësi: e estetizojnë të shëmtuarën tek individi, mëkatin, apo në shumë raste i ekspozojnë ashtu siç janë në të vërtetë, pa bërë vlerësim apo qëllim moral. Prapë se prapë në të dyja raste pafundësia është një oqean i mirëfilltë estetik, iluziv tek krijuesi. Arti i tij komplet është filozofik që dëshmon një progres të vërtetë të kulturës artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›