Qoshet e Evropës

Pjesëmarrësit e kësaj ekspedite, e cila merret me legjendat dhe stereotipet e territoreve që ndërthuren me kufij që herë-herë janë goxha të prekshëm e herë-herë gati të padukshëm, do të qëndrojnë në Zagreb, Jasenovac, Uzice, Sirogojno, Prizren, Shkodër, Cetinje, Mostar, Rijeka, si dhe në disa qytete tjera të rajonit ballkanik.
Pjesë e kësaj ekspedite artistiko-hulumtuese janë artistët nga Sllovenia, Serbia, Suedia, Polonia, Irlanda Veriore, Britania e Madhe dhe nga Kroacia.
Secili qytet që do të vizitohet në fakt përfaqëson njollojë stacioni, në të cilin artistët do t’i ekspozojnë veprat e tyre, do të interpretojnë aksione, do të marrin pjesë në debate e tryeza të rrumbullakëta, si dhe do të shkëmbejnë tregime e përvoja me nikoqirët lokalë.
Intervenimet grupore artistike në hapësira publike do të mbahen në Uzice (më18 prill), në Cetinje (më 23 prill) dhe në Mostar (më 27 prill). Nëpër stacionet e atjeshme të autobusëve dhe të trenave, por edhe nëpër sheshe e udhëkryqe, pjesëmarrësit do të sjellin një dimension të ri të përkohshëm, do të komunikojnë mes vete, me publikun e tubuar dhe me kalimtarët e rastit.
Më 20 prill, në Prizren do të mbahet diskutimi për politikën e kulturës, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për skenën e pavarur, ndërkaq më 23 prill, në Cetinje do debatohet për artin dhe kulturën si bartës të zhvillimit urban. Ekspedita përfundon më 29 prill, në Rijeka, me një bisedë të hapur për pozitën e artistëve ballkanikë në Evropë. Gjithashtu, do të mbahen një sërë takimesh me aktivistët, artistët dhe me qytetarët e angazhuar lokalë, por edhe me organizata e institucione lokale.
Organizatorë të ekspeditës janë OJQ’ja sllovene Exodos, shoqata nga Rijeka Drugo More, dhe shoqata zagrebase Pogon. Sipas organizatorëve, synim i projektit është ndryshimi i perspektivës, përmes vendosjes së periferisë në qendër - ashtu që “e padukshmja të bëhet e dukshme”, dhe hulumtimi i zonave për shumëkënd të panjohura të qendrave kulturore, politike dhe ekonomike të Evropës.
Ekspedita ballkanike është menduar si një proces i hulumtimit dhe zhvillimit, por edhe si një përgatitje për fazën tjetër të projektit ‘Corners’ (Qoshet), kur do të zhvillohen, bashkëprodhohen dhe distribuohen një sërë veprash të reja artistike, të inspiruara nga rrëfimet nga “Qoshet e Evropës”.
Deri tani janë mbajtur Ekspedita Veriore (Norvegjia dhe Suedia) dhe Ekspedita e Kaukazit (Turqia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani). Në kuadër të Ekspeditës Lindore, në muajin shtator do të hulumtohen zonat kufitare në Ukrainë, Poloni, Bjellorusi, Lituani dhe në Kaliningrad.
Projekti ‘Corners’ mbështetet nga Programi Kulturor i Bashkimit Evropian, Instituti Suedez, ministritë sllovene dhe kroate të kulturës, qytetet Zagreb dhe Lubjana, Këshilli për Art i Irlandës Veriore, etj.
culturenet.hr