Filozofia urbane e Facebookut
Rrjetet sociale janë shndërruar në pjesë të pandashme të jetës bashkëkohore, qoftë për shkëmbim informacioni, ashtu edhe për menaxhimin e ndjenjës së kotësisë.
Nëse sot shikojmë nëpër blogje të ndryshme në facebook, do të shikoni së përpos faqeve të gazetave, medieve të ndryshme, ju do të mund të gjeni edhe faqe interesante të cilat kanë të bëjnë me një filozofi me ndryshe, që shumë të këtillë e quajnë “Facebook Filozofia Urbane”.
Më parë, në Kosovë ka qenë e njohur Policia Estetike e Kosovës, pastaj “The Pimpsons” duke vazhduar tutje me faqen tjetër, shumë interesante, “Çudira nga bota”, por edhe faqe dhe blogje të tjera të cilat e bëjnë qëndrimin në facebook edhe më interesant dhe më argëtues.
Interesant është edhe faqja e radios Urban FM në Facebook, ku sjell muzikë urbane, pra tendencën e muzikës bashkëkohore dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e muzikës.
Por, në fakt ka edhe faqe filozofike urbane në facebook. Duke mos harruar edhe persona të tjerë që merren me strip dhe gjëra të tjera.
Një të këtillë e ka hapur dramaturgu Albatros Rexhaj, i cili kohëve të fundit ka hapur një blog personal, të cilin ai e quan “Filozofia Urbane”.
“Në kohërat antike filozofët dilnin në sheshe dhe para masave të qytetarëve i lexonin mendimet e tyre mbi jetën. Sot një gjë e tillë do të dukej absurde por rrjetet sociale e ofrojnë një mundësi unike të komunikimit bashkëkohor dhe plasimit të ideve. Në botë ka shumë shembuj të përdorimit të suksesshëm të rrjeteve sociale duke filluar nga Obama e deri te Edi Rama. Te ne në Kosovë, shembulli më i fuqishëm i kësaj tendence është projekti PIMPSONS i Fisnik Ismailit. Projekti im është i fokusuar në kultivimin e një forme të re të menduarit me një kontekst më të thellë për jetën, vetë ne si qenie njerëzore dhe si shoqëri”, thotë Albatrosi për Express.
Si veçori e Facebook Filozofisë Urbane është shkrimi i shkurtër por i thukët.
“Jeta bashkëkohore është dinamike dhe njerëzit nuk kanë durim që të fokusohen në shkrime të gjata. Kjo e dikton një formulim të shkurtër që duhet të nxit meditim por edhe një dozë minimale të argëtimit. Një mendim i bukur, i cili e fiton një kuptim të ri në botën individuale të lexuesit, gjithnjë e nxit një buzëqeshje të heshtur”.
Në këtë tendencë të kultivimit të Facebook Filozofisë Urbane, Albatrosi e ka përkrahjen e miqve të tij, si aktori dhe këngëtari Fatos Kryeziu dhe mjaft të tjerë që janë lexues të rregullt të blogut të tij në Facebook. E një ndër thëniet që mund t’i lexoni në facebook te blogu i Albatrosit janë: “Të gjithë bërtasin ‘unë jam vetvetja’ dhe pothuajse të gjithë gënjejnë! Është e dhimbshme sa shumë maska ndërrojmë ditë pas dite, saqë ka rrezik ta harrojmë se cila është fytyra jonë e vërtetë!” dhe thënia tjetër që është shumë e pëlqyer, “Ta duash dikë më shumë se veten është diçka shumë jointeligjente!”.
Por, ka edhe persona të tjerë që profilin e tyre publik e kanë shndërruar në klikime të shumta. Nëse e vizitoni profilin e Ali Asllanit nga Peja, aty do të gjeni qindra thënie të shkrimtarëve, filozofëve dhe shkencëtarëve të njohur botëror. Pos kësaj të rinjtë do të njihen edhe për kompozitorët e njohur të muzikës klasike. Postimi i fundit në profilin e Ali Asllanit është thënia: “Qeniet njerëzore, duke i ndërruar qëndrimet e brendshme të mendimeve të tyre, mund të ndërrojnë aspektet e jashtme të jetës së tyre” (William James). Interesante, apo jo?