E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filumena Marturano , Histori njerëzore, që përcjell triumf dashurie

Kryevepra e dramaturgut Eduardo de Filipo rikthehet në skenën teatrore
Rikthehet suksesshëm dhe këtë fundjavë kryevepra e dramaturgut Eduardo de Filipo në skenën e Teatrit Kombëtar. Loja e aktorëve, por dhe vetë mesazhi që përcjell vepra teatrore , e cila është konsideruar si një triumf i dashurisë është duartrokitur nga publiku në sallë. Për gati dy orë kryevepra e dramaturgut italian Eduardo De Filipo ka përcjellë emocion në skenë. Nga Teatri Kombëtar mësohet se shfaqja është ndjekur nga një numër i lartë spektatorësh, duke e renditur këtë shfaqje ndër pjesët më të suksesshme vënë në skenën teatrore. Edhe fundjavën tjetër drama napoletane do të shfaqet sërish për publikun, i cili do të ketë mundësi të shikojë në skenën teatrore lojën e aktorëve më të njohur të skenës. Filumena, e detyruar të vuajë shumë në jetë, interpretohet nga aktorja e mirënjohur Yllka Mujo. Por në dramë interpretojnë edhe aktorë të njohur të skenës shqiptare si Artistja e Popullit Tinka Kurti, Bujar Asqeriu, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi etj. Regjisori Albert Minga shprehet se drama vjen me mesazhin që sjell triumfin e dashurisë. Filumena Marturano është triumf i dashurisë, është një histori madhështore njerëzore dhe sfilitëse. Realiteti shqiptar është i mbushur me histori të tilla. Këto gra për arsye të ndryshme janë të detyruar që të mohojnë pjellat e dashurisë së tyre, tregon ai, duke shtuar se: Në këtë koncept Filumena është një heroinë, sepse hap pas hapi gjatë shfaqjes zbulohet një femër me kurajo, që lufton për dinjitetin,jo vetëm të vetes së saj por dhe djemve që ajo ka rritur me aq sakrificë. Vepra vjen aktuale me realitetin shqiptar. Regjisori gjatë prononcimit të tij vlerëson aktoren Yllka Mujo duke u shprehur se ajo është një aktore, e cila i përshtatet shumë figurës. Yllka Mujo është një aktore me diapazon, me një botë të madhe shpirtërore. Yllka Mujo solli një Filumenë të nivelit të lartë. Ajo ka një përshtatshmëri me figurën, shprehet Minga. Në një vëzhgim regjisorial për Filumena Marturano regjisori tregon se autori i veprës është një prej emrave më të njohur në dramaturgji. Për të shpjeguar atë që e bën të veçantë krijimtarinë universale të këtij artisti të madh, të quajtur nga kritika si Pirandelo napolitan, mjafton të themi që gazetari i famshëm, Arrigo Levi, e vendos emrin e tij në listën e fuqive të mëdha, të teatrit botëror. Shumë vepra të tij janë punuar nga regjisorë të mëdhenj të teatrit e të kinemasë, gjë që dëshmon për forcën e tij krijuese, thellësinë e karaktereve që këta artistë gjejnë në këto vepra, por edhe për universalitetin e mesazheve që ato transmetojnë. Drama e shkruar në vitin 1944 realizohet me skenografi të mjeshtrit të skenës, Agim Zajmi. Regjisori Albert Minga edhe këtë herë në stafin e atij me aktorët ka sërish emra të rinj. Dëshira e regjisorit Minga për të zbuluar talentet të rinj, vijon kësaj here me emra të tjerë si Gjergji Mena, Nigela Ruka etj, që janë vënë në qendër të tij. Vepra ëhstë përkjtheyr në shqip nga origjinali Cantata dei giorni disparinga i njohuri Mustafa Greblleshi,shumëvite më parë. Në fakt e tërë drama është një dramë e vështirë psikologjike me tre akte, e cila është shkruar nga kritika se duhet të çmohet për zbulimin e thellë të karaktereve të personazheve që e bën dashurinë  e gruas së thjeshtë për një djalosh të shoqërisë borgjeze, një dramë që demaskon falsitetin dhe esencën  e ligjeve çnjerëzore të shoqërisë mikroborgjeze. Besohet se De Filipo e shkroi këtë pjesë enkas për motre tij, Titina de Filipo, një aktore e njohur e kohës. Vepra është interpretuar dhe në Vatikan, ku Papa Piu XII kërkoi që ajo ti recitonte lutjen e Filumenës drejtuar Shën Mërisë. Nuk është hera e parë që publiku shqiptar shikon pjesë të Eduardo De Filipos. Në skenë e Teatrin Kombëtar janë ngjitur dhe dy veprat e tij: Magjia e madhe me regji të Gëzim Kames dhe Cilindri me regji të Kastriot Çipit, të cilat janë mirëpritur nga spektatori i teatrit.

***************************************************
Historia e dramës shkruar nga Eduardo de Filipo
 Një grua e popullit, ish-prostitutë, Filumena Marturano jeton prej njëzet e pesë vjetësh si një grua, por pa qenë e tillë, në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napoletan borgjez dhe i kamur. Ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh , ajo e detyron  atë të martohet me të zyrtarisht duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes ! Domeniko Soriano pranon të martohet. Por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje: ajo dëshiron tu japë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të D. Sorianos. Për një kohë të gjatë,  kishte qenë e detyruar të heshte për ekzistencën e tyre. Por Filumena i jep dhe një goditje tjetër Domenikos: njëri prej tre djemve të saj është biri i tij! Por nuk ka ndërmend ti tregoj konkretisht se cili është, sepse fëmijët janë fëmijë dhe ata duhet të ndihen të tre të barabartë! Në finale të dramës, Domeniko i jep të drejtë Filumenas dhe vendos të  martohet përsëri,  por kësaj  here edhe me prezencën e familjes së tij të re!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›