Finalistët dhe fituesit e spektaklit “Gjeniu i Vogël, priten nga Kryetarja e Kuvendit
Finalistët dhe fituesit e spektaklit “Gjeniu i Vogël” u pritën sot nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Të shoqëruar nga organizatorët e spektaklit, Pandi e Bledi Laço dhe kompozitori Ardian Hila, fëmijët biseduan me Kryetaren e Kuvendit duke ndarë me të emocionet dhe histori të ndryshme nga puna e përditshme gjatë përgatitjes së spektaklit. “Jeni të mrekullueshëm dhe keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Mezi prisja orën kur fillonte spektali”, tha zonja Jozefina Topalli gjatë bisedës me fëmijët e talentuar. Kryetarja Topalli përgëzoi organizatorët për aftësinë e tyre në zbulimin e këtyre talenteve të rinj. “Kemi udhëtuar shumë nëpër Shqipëri për t’i gjetur dhe na është dashur një punë e madhe për të realizuar këtë spektakël,” u shprehën organizatorët gjatë bisedës me Kryetaren e Kuvendit. Duke i përgëzuar edhe njëherë për talentin e tyre dhe duke u uruar suksese të tjera në të ardhmen, zonja Topalli i ftoi fëmijët Bruna, Riad, Laura, Tedi, Arilena, Klejti, Artiola, Fjolla dhe Jozefina Simoni për të vizituar Parlamentin.