Finalizohet operacioni “Prova”, tre të arrestuar për shitje kanabisi në Kuçovë

Një operacion policor i koduar “Prova” ka çuar në arrestimin e tre personave në Kuçovë, të cilët akuzohen për shitje të doza droge të llojit kanabis. Operacioni, i cili ka zgjatur për tetë muaj, është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Gjatë hetimit, janë mbledhur prova se grupi kriminal organizohej për të siguruar, ndarë në doza dhe më pas shitur lëndën narkotike Cannabis Sativa në qytetin e Kuçovës.
Si rezultat, Gjykata e Beratit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Ll. N., 33 vjeç, L. M., 24 vjeç, dhe D. D., 26 vjeç, të gjithë banues në Kuçovë. Ata akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet e grumbulluara i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme ligjore.