Vrau me breshëri plumbash dy persona dhe plagosur 2 të tjerë, Gjykata jep vendimin për autorin e masakrës së Shkodrës

Gjykata e Shkodres ka lene nen masen arrest me burg autorin e atentatit Ragip Gila, i cili mëngjesin e 8 shtatorit vrau në qendër të Shkodrës 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë. Të vrarë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Ragip Gila, 29 vjeç, i armatosur me 2 armë, një pistoletë dhe një scorpions, i veshur me antiplumb, erdhi pranë lokalit me një motoçikletë të zezë, të cilën e la jashtë të ndezur. Hyri në lokal në këmbë dhe qëlloi në drejtim të tavolinës ku ndodheshin 3 personat, ndërsa në afërsi ishte edhe kamerierja. Pas breshërisë së plumbave doli nga aty përmes një dere të dytë në anën tjetër të lokalit.
Hyri në një rrugicë të Shkodrës duke braktisur motoçikletën dhe nën kërcënimin e armës grabiti një makinë tip “BMV”, ngjyrë gri. Gjatë rrugës në ikje, Gila u përplas me dy automjete, dhe pasi mbërriti pranë shinave të Trenit në lagjen “Skënderbeg”, braktisi makinën. Në këmbë tentoi të largohet duke kaluar lumin Kir, megjithatë tashmë ishte pikasur nga policia.
Pak çaste më vonë, Ragip Gila u kap në tentativë për t’u arratisur duke kaluar lumin.
Ragip Gila nuk është emër i panjohur për policinë. I arrestuar në fund të dhjetorit 2023 me një arsenal të tërë armësh në Shkodër, ai u lirua nga burgu më 4 mars të këtij viti. Ai u dënua me 3 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar jo për armëmbajtje pa leje, por për drogë, dhe u lirua me kusht që për një periudhë prej 5 vitesh të mos kryejë vepra të tjera penale. Por nuk vonoi, dhe nga marsi kur la qelinë, 6 muaj më pas, këtë 8 shtator, vrau 2 persona e plagosi dy të tjerë në lokalin pranë bashkisë së Shkodrës.
Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt.
Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale.
Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka pnuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët, ndërsa viktima tjetër Liridon Kraja, është truproja e Brajoviç.