Finalja, Kuzhe shtyn vëzhgimin për Bashën
Në tribunën “VIP” të stadiumit “Qemal Stafa”, përveç personaliteteve të shumta të sportit dhe politikës, i pranishëm do të jetë edhe trajneri Josip Kuzhe. Për të ndjekur nga afër finalen e Kupës së Shqipërisë, drejtuesi i stolit kuqezi është detyruar të ndryshojë axhendën e vëzhgimeve për kandidatët potencialë për një fanellë në Kombëtare. Në fakt, të shtunën tekniku kroat kishte parashikuar një udhëtim drejt Italisë, për të parë në aksion mesfushorin kosovar, Migjen Basha, i cili militon te Frozinone në Serinë B. Por, sfida ndërmjet Vllaznisë dhe Besës ka bërë që gjithçka të shtyhet për më vonë. “Kisha planifikuar të ndiqja ndeshjen ndërmjet Frozinones ku aktivizohet Basha dhe çitadelës. Kam mjaft informacion për mesfushorin me tipare difensive dhe dëshiroja ta vëzhgoja nga afër. Megjithatë, udhëtimi për në Itali nuk u realizua: qëndrova në Shqipëri për të qenë i pranishëm në finalen e Kupës”, deklaroi trajneri i Kombëtares. Në bazë të paraqitjeve në përballjen e sotme, Kuzhe mund të vendosë t’i japë një shans disa elementëve të kavajasve dhe shkodranëve, për miqësoret e ardhshme të Shqipërisë me Malin e Zi dhe Andorrën. Kandidatët potencialë janë mbrojtësi i Besës, Endri Vrapi dhe sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala.
#