Kamza, përmbysje me aromë Superioreje
Në javën e 29 të Kategorisë së Parë janë regjistruar rezultate të pritshme për skuadrat që luftojnë të ngjiten në elitë. Gjithashtu nuk kanë munguar as “dhuratat” e ekipeve të mesit të tabelës, për ato klube që do të kërkojnë edhe për 90 minuta mbijetesën. Fitorja më e rëndësishme ishte padyshim ajo që Kamza arriti në fushën e Luftëtarit. Skuadra e drejtuar nga Perlat Musta e kaloi me sukses provën në Gjirokastër, falë një përmbysjeje në sekondat e fundit të ndeshjes. Pasi e panë veten në dizavantazh për 75 minuta lojë, kamzalinjtë shënuan fillimisht me Fatjon Tafajn, ndërsa Saimir Patushi realizoi golin që vlen tri pikë në minutën e parë shtesë. Me shifrat 2-1, ata ruajnë vendin e tretë në klasifikim, por tashmë në kuotën e 59 pikëve, po aq sa edhe Elbasani i vendit të dytë. Verdheblutë fituan 3-2 në fushën e Bilisht Sport, në një sfidë që lë mjaft dyshime për impenjimin e vendasve: kjo për shkak se dy gola të elbasanasve, të realizuar në fraksionin e dytë të lojës, kanë ardhur brenda një kohe të shkurtër. Lushnja bën detyrën në fushën e Skraparit dhe triumfon me shifrat 3-0. Edhe pse kishin premtuar se do t’i frenonin “lagunarët”, vendasit u shfaqën të pafuqishëm. Takimi është vendosur edhe nga episodet: Skrapari shënoi një autogol, humbi një penallti dhe e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik. Në këtë mënyrë, lushnjarët ruajnë vendin e katërt (bileta e fundit për ndeshjet “play-out”) nga sulmi i Partizanit, që fitoi lehtësisht 4-1 përballë Burrelit. Pasi kanë mbyllur ndeshjen e tyre, lojtarët e kuq kanë qëndruar të gjithë pranë radios, me shpresën se kundërshtarët direktë do të bënin hapa fals. Megjithatë, mrekullia nuk ndodhi dhe nëse Elbasani, Kamza e Lushnja do të fitojnë edhe në sfidat e javës së fundit (ashtu siç mund të parashikohet lehtësisht), “demat” do të jenë të detyruar të luajnë edhe për një tjetër sezon në Kategorinë e Parë. Bylisi, që ka siguruar titullin dhe ngjitjen në elitë ka fituar me rezultatin tenistik 7-5 përballë Pogradecit që nuk ka më asnjë objektiv. Pjesa e parë e takimit në “Adush Muça” u mbyll në barazim 1-1, ndërsa 45 minutat e mbetura ishin në funksion të garës që Romeo Hamzai ka për çmimin e golashënuesit të kampionatit. Në fund, sulmuesi realizoi pesë prej shtatë golave.
#