E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Besa, sezoni vetëm në 90 minuta

Sot, ora 20:30, në stadiumin “Qemal Stafa”, finalja e Kupës së Shqipërisë

Vllaznia dhe Besa zbresin sot në tapetin e stadiumit “Qemal Stafa”, për të diskutuar finalen e Kupës së Shqipërisë. Përballja, që do të transmetohet direkt nga TVSH dhe paketa “SuperSport” në orën 20:30, është një ndeshje që për të dyja skuadrat vlen sa i gjithë sezoni. Pas zhgënjimit në kampionat, ku nuk arritën të rivalizonin me Dinamon për titullin, kavajasit kërkojnë të mos ta mbyllin vitin pa trofe. Praktikisht ata e kanë siguruar një vend në Europa League, por kërkojnë trofeun e dytë në historinë e klubit. Në anën tjetër, shkodranët e shohin triumfin në Kupë si mënyrën e vetme për të siguruar një “biletë” europiane. Ky duel, prej të cilit në kryeqytet pritet të “zbarkojnë” mijëra tifozë, do të ndiqet me interes të veçantë edhe nga Tirana. Kampionët e sezonit të kaluar do të bëjnë tifo për Besën: një fitore e kavajasve do t’i ndihmonte bardheblutë e Sulejman Starovës (aktualisht në vendin e katërt në kampionat), që të mos qëndrojnë jashtë aktiviteteve ndërkombëtare.
Besa ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kavajë, ndërsa në përfundim të seancës, zyrtarët e klubit kanë grumbulluar flamuj, fanella e shalle verdhezi: aksesorët do të shpërndahen për tifozët kavajas, të cilët do të mbështesin skuadrën e tyre në finale, përpara fillimit të ndeshjes. Ndërkohë, trajneri Shpëtim Duro ka marrë lajme të mira nga infermieria. Dëmtimet e mesfushorëve Bledi Shkëmbi dhe Artion Poçi nuk kanë qenë aq serioze sa mendohej vetëm pak ditë më parë. Të dy lojtarët do të jenë në fushën e lojës për të dhënë kontributin në fitimin e Kupës. Në dyshim për finalen janë vetëm Dritan Babamusta dhe Paulin Dhëmbi, të cilët nuk janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet. Besa e cilëson këtë sfidë jo vetëm si një mënyrë për të fituar prestigj, por edhe një shans për t’u hakmarrë ndaj Vllaznisë. Në gjashtë finalet e humbura në të kaluarën, verdhezinjtë kanë dështuar dy herë pikërisht kundër kuqebluve. Ata u ndeshën për herë të parë me Vllazninë në vitin 1972, ndërsa fituesja e trofeut u vendos pas gjuajtjes së penalltive. Besa fitoi 2-0 në sfidën e parë në Kavajë, rezultat që shkodranët e përsëritën në fushën e tyre: nga pika e bardhë, Vllaznia fitoi 5-3, ndërsa të gjitha penalltitë u ekzekutuan nga Ramazan Rragami. Humbja e dytë u regjistrua në vitin 1981: kavajasit fituan 2-1 në fushën e tyre, por u thyen me rezultatin 5-1 në “Loro Boriçi” në ndeshjen e kthimit.

Në anën tjetër, Vllaznia vazhdon të mbajë lojtarët larg mediave, me synimin që skuadra të jetë e përqendruar vetëm te detyrat në fushë. Dje paradite, Edi Martini i dha “dorën e fundit” përgatitjeve për finalen, ndërsa gjatë pasdites skuadra u grumbullua në Tiranë. Loja e shkodranëve në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit pritet të jetë e kujdesshme. Sipas gjasave, ata do të përdorin skemën me një sulmues: Bala do të mbështetet nga pesë mesfushorët Feniks, Belisha, Osja, Shtubina dhe Nallbani. Stafi mjekësor ka konfirmuar mungesën e mbrojtësit Mrvaleviç, ndërsa kapiteni Armir Grima, pavarësisht dëmtimit, do të aktivizohet si titullar, me synimin që të ndihmojë kuqeblutë në triumfin e shtatë në Kupë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›