E Diel, 1 Nëntor 2026

Finalja e Madhe e Eurovision 2026, votat e diasporës vendimtare, si të votoni numrin 05 për këngën “Nan”, apeli i Alis

Vëmendja e mbarë Evropës zhvendoset këtë të shtunë, më 16 maj, në arenën spektakolare të Wiener Stadthalle në Austri, ku do të mbahet Finalja e Madhe e Eurovision Song Contest 2026. Mes 25 shteteve konkurruese për trofeun e lakmuar, Shqipëria do të ngjitet në skenë e pesta në radhë.

Përfaqësuesi ynë, Alis Kallaçi, me këngën e tij emocionuese “Nan”, pritet të dhurojë sërish një performancë vokale të fuqishme, ashtu siç shkëlqeu në gjysmëfinalen e dytë. Gara e mbrëmjes do të hapet nga Danimarka, për të vijuar me Gjermaninë, Izraelin dhe Belgjikën, para se skena t’i besohet delegacionit shqiptar.

Apeli i Alis: Gara nuk ka mbaruar!

Kënga shqiptare, një dedikim i ndjerë për figurën e nënës, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë rrjetin prestigjioz britanik BBC, i cili e ka vlerësuar “Nan” si një këngë me mesazh të fuqishëm. Performancës i ka dhënë një vlerë të shtuar prania në skenë e ikonës së kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku.

Përmes një video-mesazhi dërguar në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, Alis Kallaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme, duke kërkuar sërish votën e shqiptarëve kudo në botë:

“Jemi në finale! Dua t’ju falënderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen që kemi dhënë deri sot, sepse bashkë me ju ndihem sikur arritëm ta bëjmë ëndrrën time – ose më mirë të themi ëndrrën tonë – realitet. Por gara nuk ka mbaruar akoma dhe do të kisha dëshirë që t’ju ftoja të votoni numrin 05 në finale,” u shpreh artisti shkodran.

Suksesi i këtij viti ka ardhur edhe si rezultat i një pune të jashtëzakonshme në prapaskenë. Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cilësoi këtë arritje si një fryt të talentit dhe të një stafi të përkushtuar:

“Nan dhe Alis janë nesër në finale për shkak të talentit dhe përkushtimit që ky këngëtar i ri i ka dhënë këngës dhe performancës së tij që nga dhjetori i vitit të kaluar në festivalin e këngës e deri sot. Thënë kjo, dua të veçoj punën dhe përkushtimin e stafit të RTSH, një grupi të vogël njerëzish me zemër të madhe e përkushtim për punën. Pas performancës së Alis në Eurovision ka një punë kolosale që nis një ditë pas përfundimit të festivalit të këngës, përgatitja për në stage të Eurosong është një super sfidë që nga procedurat, te standardizimi i këngës, prodhimi i videove, kostumeve, realizimi i turit e deri te kurimi i çdo detaji skenik. Një bravo për ta. Një lodhje e shpërblyer. P.S. Prania e ikonës së skenës Rajmonda Bulku i shtoi kaq shumë shije interpretimit të Nan dhe kimia me Alis Kallaci ishte kaq e bukur” u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili

Si ta mbështesim Shqipërinë?

Për të kurorëzuar me sukses këtë rrugëtim, mbështetja e diasporës është jetike. Rregullat e reja të votimit ofrojnë më shumë mundësi dhe kohë, por asgjë nuk duhet lënë për në minutën e fundit.

Sipas rregullores së festivalit, publiku nuk mund të votojë për përfaqësuesin e shtetit të vet nga brenda atij territori.

Më poshtë janë rregullat dhe udhëzimet kryesore për të votuar për Alisin me kodin 05:

Koha e votimit

Dritarja e votimit do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë performancave. Votimi do të mbyllet plot 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit konkurruese.

Kufiri i votave

Mund të votoni deri në 10 herë nga i njëjti numër.

Votimi nga shtetet pjesëmarrëse

Mbështetësit e Alisit që ndodhen në një nga 35 shtetet pjesëmarrëse të këtij edicioni mund të votojnë përmes telefonit, SMS-së, ose platformës zyrtare esc.vote. Udhëzimet specifike dhe numrat e telefonit do të shfaqen në ekranet e transmetuesve lokalë.

Votimi “Rest of the World” (shtetet e tjera si SHBA, etj.)

Publiku nga vendet që nuk marrin pjesë në Eurovision mund të votojë online ekskluzivisht në platformën esc.vote. Për këtë kategori, votimi hapet që në mesnatë (sipas orës CEST), mbyllet shkurtimisht para nisjes së spektaklit live dhe rihapet sërish pak para performancës së parë. Votat e “Rest of the World” do të mblidhen dhe llogariten si një set i plotë pikësh shtesë, me të njëjtën peshë si një shtet konkurrues.

Ku ta ndiqni Finalen e Madhe?

Për të gjithë ata që duan të përjetojnë drejtpërdrejt emocionet e finales së Eurovisionit dhe të ndjekin performancën e Shqipërisë, spektakli do të transmetohet live në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana.

Renditja e shteteve në natën finale:

01. Danimarkë: Søren Torpegaard Lund – Før Vi Går Hjem

02. Gjermani: Sarah Engels – Fire

03. Izrael: Noam Bettan – Michelle

04. Belgjikë: ESSYLA – Dancing on the Ice

05. Shqipëri: Alis – Nân

06. Greqi: Akylas – Ferto

07. Ukrainë: LELÉKA – Ridnym

08Australi: Delta Goodrem – Eclipse

09. Serbi: LAVINA – Kraj Mene

10. Maltë: AIDAN – Bella

11. Çeki: Daniel Zizka – CROSSROADS

12. Bullgari: DARA – Bangaranga

13. Kroaci: LELEK – Andromeda

14. Mbretëria e Bashkuar: LOOK MUM NO COMPUTER – Eins, Zwei, Drei

15. Francë: Monroe – Regarde !

16. Moldavi: Satoshi – Viva, Moldova!

17. Finlandë: Linda Lampenius x Pete Parkkonen – Liekinheitin

18. Poloni: ALICJA – Pray

19. Lituani: Lion Ceccah – Sólo Quiero Más

20. Suedi: FELICIA – My System

21. Qipro: Antigoni – JALLA

22. Itali: Sal Da Vinci – Per Sempre Sì

23. Norvegji: JONAS LOVV – YA YA YA

24. Rumani: Alexandra Căpitănescu – Choke Me

25. Austri: COSMÓ – Tanzschein

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›