E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalja e vërtetë do ishte të Përjashtuarit vs të Dëmtuarit

Botërori 2010 Bekham dhe Ronaldinjo do ishin kapitenët e dëmtuarve dhe të përjashtuarve

Kur duhen vetëm pak ditë deri në fillimin e Botërorit, janë të shumtë ata që pyesin mbi atë se, cili mund të jetë niveli teknik i Kupës së Botës 2010. Dëmtimet, përjashtimet, të papriturat e bujshme dhe skuadrat në formë jo të mirë rrezikojnë të limitojnë spektaklin në kompeticionin futbollistik më të ndjekur në botë.

Emra të spikatur të futbollit botëror do të jenë të detyruar të shikojnë ndeshjet e kombëtareve të tyre nga televizori dhe nuk ekziston asnjë kombëtare e madhe, e cila të mos numërojë të përjashtuar ose të dëmtuar, që mund të lënë shenjë me mungesat e tyre. Ja arsyeja se përse mund të flitet pikërisht për një “All Star Game” të vërtetë, versioni futbollistik i ndeshjeve të NBA, e cila përzgjedh lojtarët më të mirë të kampionatit të basketbollit amerikan. Të Përjashtuarit kundër të Dëmtuarve mund të jetë në fakt një finale e vërtetë me dy formacione që meritojnë respektin maksimal: te të parët nuk është e vështirë të zgjedhësh edhe sepse 11-shja ideale mund të përbehej nga Frey në portë, mbrojtja me kapitenin e Interit, kampionin e ri të Europës, Havier Zanetin, romanistin Filipe Mekses, mbrojtësin brazilian të qendrës te çelsi, Alex, dhe braziliani i krahut te Reali i Madridit, Marselo. Mesfusha do të ishte e gjitha amerikanojugore me Gago, Kambiaso e Diegon e Juventusit, i ardhur nga një sezon zhgënjyes, por i grumbulluar shpesh nga trajneri brazilian, Dunga. Fronti i sulmit do të ishte nga më të frikshmit e të gjithë turneut me një treshe, e cila do të numëronte Ronaldinjon, Paton e Karim Benzema, sulmuesin, për të cilin Reali i Madridit pagoi 35 milionë euro dhe që pas një sezoni zhgënjyes, është lënë në shtëpi nga trajneri i “Gjelave” francezë, Domenek. Ndërsa pankina mund të jetë e gjitha “azzurre” me Kasanon, Mikolin e Balotelin. Shumë e kompletuar duket edhe kombëtarja e të Dëmtuarve, një skuadër që bazohet te kontributi i madh i Gjermanisë së Joakim Lëv, të cilit i është dashur të heqë dorë për në Afrikën e Jugut nga portieri Rene Adler, nga mbrojtësi i Shalke 04, Heiko Vesterman dhe nga mesfushorët Mikael Balak, Simon Rolfes dhe Kristian Traesh. Referimi i mbrojtjes do të jetë pa dyshim Rio Ferdinand, mbrojtësi qendror dhe kapiteni i kombëtares angleze, i cili nuk do të udhëtojë për në Afrikën e Jugut për shkak të një ligamenti të këputur në gju. Edhe mesfusha do të ishte kualitative falë edhe Devid Bekhamit, Esienit dhe Obi Mikel të çelsit dhe algjerianit Mehnji, të gatshëm për t’u futur në fushë. Në sulm një dyshe, që nuk ka e ka braktisur ende ëndrrën për të luajtur në Botëror, Didier Drogba (i ndalur pas një frakture në krah gjatë ndeshjes kundër Japonisë) dhe Arjen Roben (të larguar me dhimbje nga fusha gjatë miqësores me Hungarinë për shkak të një problemi në gjurin e majtë). I gatshëm është edhe Forlan, i cili ka pësuar një dëmtim dhe ende nuk dihet se cila do të jetë gjendja e tij. Kush do ta fitonte përballjen të Përjashtuarit “vs” të Dëmtuarit? Le të gjykojnë lexuesit…

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›