Financat: Kompanitë kanë nisur të reflektojnë, jo tatimit progresiv
Duket se tatimi progresiv ishte një presion ndaj kompanive të mëdha që operojnë në tregun vendës, për t’u treguar të kujdesshme ndaj konsumatorit shqiptar në lidhje me transaksionet. Burime nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se projekti i taksës progresive, që u tërhoq pasi komuniteti i biznesit ngriti zërin, nuk do të shqyrtohet, është anuluar. Në këtë mënyrë, financat kanë argumentuar se taksa progresive do të humbte kuptimin e taksës së sheshtë që ishte një revolucion në sistemin fiskal shqiptar. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, kompanitë e mëdha kanë nisur të reflektojnë në lidhje me çmimet e produkteve dhe shërbimeve dhe nuk lind nevoja e taksimit progresiv. Draftligji për tatimin progresiv parashikonte tatimin mbi fitimin që rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Sipas këtij draftligji, kompanitë e mëdha do të tatoheshin sipas fitimit të tyre, në mënyrë progresive nga 10-30 për qind. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore, mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30% në 70%, dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, duke iu referuar draftligjit, nuk njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat për shkak të shumave të larta ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohej që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së tetëmbëdhjetë, të mos njiheshin si shpenzime të njohura për efekte fiskale, në sektorin financiar. Tatimi progresiv u mor si nismë me qëllim për të tatuar më tepër kompani që kanë fitime shumë të mëdha.