Konfindustria: Institucionet të përfshijnë në faljen fiskale të gjithë emigrantët
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, u ka kërkuar dje gjithë institucioneve përmes një deklarate për shtyp që të përfshijnë në procesin e faljes fiskale gjithë emigrantët që kanë ardhur për pushimet e verës në Shqipëri. Buxhuku ka shprehur shqetësimin e Konfindustrisë lidhur me njoftimet e fundit për përpjekjet e vendimmarrjes politike të Greqisë për ndalimin e dërgimit të të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptarë në atdhe. Sipas kreut të Konfindustrisë, këto përpjekje janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare. “Në të njëjtën kohë, e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të dy vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë. Alb Konfindustria vlerëson se, nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen nga remitancat e të punësuarve shqiptarë, në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të mëdha në formën e dividentit të bizneseve greke në vendin tonë, si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milionë euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë”- tha ai. Buxhuku bëri me dije se sipas vlerësimeve të përafërta del që vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptarë, që hyjnë në Shqipëri. Sipas tij, janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike, si telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento si dhe prodhime të industrisë agroushqimore. Nga ana tjetër ai deklaroi se vetëm në tregun e telekomunikacionit shuma e përgjithshme e fitimeve të kompanive me kapital grek, pjesë e rëndësishme e të cilave janë të transferuara drejt Greqisë, kapin shifrat e 2 miliardë eurove.
Sipas tij, "duhet vlerësuar edhe fakti se në shumë raste kemi të bëjmë edhe me dalje në shuma të mëdha dhe në mënyrë të paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit, të siguruara nga evazioni fiskal i kompanive me kapital të huaj, përfshi edhe kompani greke që nuk i janë nënshtruar taksimit, duke goditur ashpër qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe ekonominë e Shqipërisë”. “Alb Konfindustria u kërkon institucioneve shtetërore, që të marrin të gjitha masat e duhura të marketingut për të bërë të mundur përfshirjen në amnistinë fiskale të të gjithë emigrantëve shqiptarë, që vijnë në atdhe për pushimet e verës”, theksoi Buxhuku.