Invalidët, rëndohet gjendja e grevistëve. Ministria: Ndërpriteni grevën
Gjendja shëndetësore e 22 burrave dhe grave para dhe tetraplegjikë, të futur në grevën e urisë, është rënduar në ditën e pestë të saj. Në gjendje më të rëndë janë gratë, për të cilat qëndrimi në grevë po vështirësohet dita-ditës. Në këto kushte, ndërsa grevistët deklarojnë se janë të vendosur për ta çuar grevën deri në fund, që nënkupton plotësimin e kërkesave të tyre, Ministria e Punës ka reaguar dje, jo vetëm zyrtarisht për këtë çështje, por numri dy i saj, zëvendësministrja Filloreta Kodra ka vizituar ditën e djeshme nga afër grevistët para dhe tetraplegjik. Ministria e Punës doli dje me një deklaratë shtypi, në të cilën vuri në dukje se problemet e aftësisë së kufizuar janë konsideruar si prioritet i qeverisë shqiptare. Duke iu referuar grevës së para dhe tretraplegjikëve, Ministria sqaroi se në vazhdimësi nevojat e kësaj kategorie janë trajtuar me sensibilitet dhe ky sensibilitet është shprehur edhe në rritjen e mbështetjes, vit pas viti, për këtë kategori. Po dje, zv/ministrja e Punës, Filloreta Kodra, kontaktoi me grevistët dhe u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dëgjuan kërkesat e grevistëve dhe, edhe një herë, u kërkuan të heqin dorë nga forma të tjera ekstreme dhe të ulen në tryezën e dialogut për të zgjidhur në vazhdimësi çdo problem që shqetëson para dhe tetraplegjikët. “Qeveria shqiptare e ka konsideruar gjithnjë si një nga prioritetet e saj kryesore çështjen e aftësisë së kufizuar. Nga viti në vit për personat me aftësi të kufizuara ka një rritje interesimi dhe vëmendjeje nga ana e shtetit, pasi objektivi ynë është përmirësimi i cilësisë së jetesës së tyre, duke theksuar jo vetëm mbështetjen financiare, por edhe rëndësinë e integrimit dhe pjesëmarrjes së tyre të plotë në shoqëri”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punës. Po ashtu, ky dikaster sqaron se buxheti i shtetit mbështet me një buxhet prej 1 milion lekë Shoqatën e Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë. Sipas Ministrisë së Punës, duke filluar nga dhjetori i vitit 2010, pagesat për kategoritë e PAK janë indeksuar. Ndërkaq, për t’i bindur invalidët të ndërpresin grevën, Ministria e Punës shprehet se ka qenë përherë e gatshme të mirëpresë, diskutojë dhe të gjejë rrugën e zgjidhjes me përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar, dhe jo vetëm, për të gjitha problemet me të cilat përballet kjo kategori. Ndaj, Ministria shpreh keqardhjen për grevën në të cilën janë futur para dhe tetraplegjikët këto ditë dhe u bën thirrje atyre që të ndalin format ekstreme, të dalin nga greva dhe të ulen në tryezë me institucionet. Tri nga kërkesat kryesore të kësaj kategorie që janë hedhur publikisht nga vetë ata jo vetëm për t’u diskutuar, por edhe për t’u plotësuar janë: rritja e pagesës së kujdestarit, minimumi 15 mijë lekë në muaj; 80 litra karburant në muaj; rritja e paketës higjieno-sanitare etj. Dje, me gjithë reagimin zyrtar të Ministrisë së Punës, grevistët nuk kanë dhënë asnjë shenjë pozitive se do t’i besojnë këtij dikasteri dhe do të dalin nga greva e nisur që prej ditës së enjte të javës së shkuar. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 5100 persona para dhe tetraplegjikë, ndërkohë që greva e fundit që ata kanë zhvilluar po për të njëjtat kërkesa është bërë në vitin 2008.
Strehimi
Grande falas për ambiente specifike
Ministria e Punës sqaron se gjatë kësaj periudhe një vëmendje e veçantë i është kushtuar përmirësimit të legjislacionit, i cili mbështet përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin e personave para dhe tetraplegjikë. Kështu, në zbatim të Ligjit të Urbanistikës, Ministria e Punëve Publike realizoi objektivin “Sigurimi i jetesës pa pengesa për personat me aftësi të kufizuar, duke hartuar rregulloren për këtë qëllim në vitin 2008, në të cilën është parashikuar edhe heqja graduale e pengesave ekzistuese arkitektonike, urbanistike e të transportit dhe të parandalojë shfaqjen e pengesave të reja”. Po ashtu, përmirësimet në Ligjin për Strehimin, i cili pritet të miratohet së shpejti, parashikohet që përveç kredive të zbutura për strehimin e kësaj kategorie, shteti do të subvencionojë me grande falas për ambiente të nevojshme specifike. Ndërkaq, po në kuadër të përmirësimit të legjislacionit, me nënshkrimin e Konventës së OKB-së “Për të drejtat e PAK” nga qeveria shqiptare, Ministria e Punës ka ngritur grupin e punës në të cilin janë përfshirë përfaqësues të të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse, dhe ka si synim ratifikimin e saj vitin e ardhshëm. Procesi ka në themel përputhjen e legjislacionit shqiptar me parimet e Konventës, për të patur një legjislacion gjithëpërfshirës për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar. Në këtë proces janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Aftësisë së kufizuar, që përfaqësojnë të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar.
Ndryshimi i pagesave nga viti 2005-2011
Një person me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjik përfiton:
2005 2011
Pagesa e aftësisë së kufizuar 6 800 9 000
Pagesa për kujdestarin 6 800 9 500
Paketa higjieno-sanitare 16 000
Komp. energjie deri në 300 kw 2 016 2 217
Shuma 15 616 36 717
N.q.se ndjek arsimin e lartë 13 600 18 000
Mund të përfitojë pension invalidi 12 000 15 000
Kompensim karburanti 4 000 7 000
Kompensim telefoni 2 000 2 000
Totali nga buxheti i shtetit 47 216 78 717