E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat, negociata të vështira me Berishën

Rishikimi i buxhetit, ministri Bode duhet ta bindë Kryeministrin për realitetin

Mbledhja e parë nuk shkoi keq, por të tjerat parashikohen të jenë tensionuese. Ministria e Financave duhet ta bindë Kryeministrin për rishikimin e buxhetit, duke i paraqitur realitetin mbi shifrat e të ardhurave dhe shpenzimeve, mbi bazën e të cilave do të hartohet paketa e re. Tjetër çështje e rëndësishme është niveli i ri i pagave dhe pensioneve, që kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar hapur disa herë se do ta rrisë në nivele 10-14 për qind. Edhe në këtë pikë, Financat kanë një mision të vështirë, pasi situata ekonomike nuk e lejon një veprim të tillë. “Shqip” mëson për takimin e parë të zhvilluar në Kryeministri, në rang ekspertësh, ku Kryeministri është njohur paraprakisht me skenarin e Ministrisë së Financave. Takimi i radhës parashikohet të zhvillohet sot, kur pritet të mbahet mbledhja e qeverisë. Të tjera takime me negociata do të mbahen rreth nivelit të ri të shpenzimeve, pagave dhe pensioneve, deri në fund të muajit qershor, që mbyll 6-mujorin, ndërsa në korrik do të mësohet buxheti i rishikuar 2010.

Shpenzimet

Për Ministrinë e Financave është e kuptueshme se njeriu i vetëm që vendos mbi nivelin e ri të pagave dhe pensioneve është Kryeministri, sado të jenë bindës ekspertët e ministrit Bode. “Ne do t’i paraqesim Kryeministrit disa variante të buxhetit, e bashkë me to edhe rritjen e pagave e pensioneve”, sqaron një burim i Ministrisë së Financave, duke shtuar se deri tani nuk ka asnjë ide përfundimtare dhe se po kryhen bisedime në rang ekspertësh. Situatën e vështirë me shpenzimet buxhetore duket se e konfirmon edhe vetë zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda. I pyetur nga gazetari i televizionit publik nëse do të ketë rritje pagash dhe pensionesh të reja, përgjigjja ishte: “Nuk kemi një ide konkrete, pasi presim të dhënat e muajit qershor dhe të gjithë 6-mujorit”.

Skenarët

Plani paraprak për rishikimin e buxhetit 2010 parashikon reduktimin e shpenzimeve me të paktën 30 miliardë lekë, ku 20 miliardë lekë janë tek investimet dhe nga 5 miliardë për korrentet dhe pushtetin lokal. Nuk përjashtohet mundësia që tkurrja e buxhetit të jetë edhe më e madhe, duke mbetur në skenarin e parë, për më pak se 40 miliardë lekë. Megjithatë, Ministria e Financave pret zhvillime pozitive në sektorin e privatizimeve, nga ku parashikon rritje të ardhurash në buxhet nga shitja e aseteve.

Situata

Shifrat zyrtare të periudhës 4-mujore paraqesin një situatë të zymtë në nivelin e arkëtimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, niveli i të ardhurave totale rezultoi në rreth 92 për qind, ose gati 80 milionë dollarë më pak se plani. Të ardhurat tatimore shënojnë një nivel të ulët, rreth 90 për qind, ose gati 95 milionë dollarë më pak, duke ndikuar në përkeqësimin e financave të shtetit. Kurse arkëtimet nga tatimet dhe doganat shënuan një nivel prej 93 për qind, ose 44 milionë dollarë më pak, gjithnjë duke i krahasuar me plani si 4-mujor. Për sa i takon deficitit, tregues i rëndësishëm në mbarëvajtjen e financave, ka pasur një rritje me 87 për qind mbi planin, ose 3 miliardë lekë më shumë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›