E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzaminim i gabuar, qeliza malinje në një trup beninj

Kalvari 6-mujor i një gruaje që u diagnostikua pasaktësisht, trauma dhe reagimi i vakët i klinikës private

Engjëjt mbrojtës jo gjithmonë janë si në përralla apo filma multiplikativë, me krahë, të veshur në të bardhë e me sy ngjyrë qiell. Ndonjëherë ata mishërohen te fytyra e familjarëve tanë, prindërit, bashkëshortët, motrat, vëllezërit apo edhe te mjeku.

Pakkush mund t’i ketë vënë veshin thënies së Stefan Cvajk kur përshkruan figurën e mjekut: “Një mjek i mirë duhet të ketë edhe fytyrë të mirë”. Por këto fytyra që na trajtojnë për sëmundje apo probleme shëndetësore, që qytetarët i shohin si “zotë” në tokë, shpeshherë edhe mund të gabojnë, por teksa pacientët presin t’u thuhet më fal, ajo me të cilën duhet të kënaqen janë justifikimet, respekti i munguar, por ndonjëherë edhe përgjigjet ironike, me tone sarkazma apo fyerje. Tejet të sikletosur, brengosur, në udhëkryq, mes stresit dhe ankthit kanë qenë për rreth 6 muaj edhe çifti Marika dhe Mentar Sula.

Kjo është historia e gruas 58 vjeçe, e cila u diagnostikua gabim në një nga qendrat shëndetësore që ofrojnë shërbim privat.

Për gjashtë muaj me radhë, ajo dhe bashkëshorti i saj, familjarë miq e të njohur i kanë hyrë kërkimit shkencor, analizave të shumta, takimeve, mbajtjes së një dosjeje të rregullt dokumentacionesh deri në verifikim të dyshimit se polibi, 1.5 mm, i cilësuar si malinj e vdekjeprurës, nuk ishte asgjë me rrezikshmëri për vazhdimin e jetës. Gazeta “Shqip” duke mos dashur të prishë tregimin e “engjëllit” mbrojtës, bashkëshortit të Marikës, pacientes që u diagnostikua gabim, do të sjellë rrëfimin e Mentar Sulës, në vetën e parë, për të gjithë ndodhinë nga ekzaminimi i parë dhe interpretimi i tij i gabuar e deri te verifikimi në tri burime, për pasaktësi dhe të dhëna të gabuara mjekësore. Ndërsa kanë verifikuar se Marika gëzon shëndet të plotë dhe rezulton me një organizëm të pastër, në dy klinika të huaja shëndetësore, sipas Mentar Sulës zhgënjim edhe më i madh ka qenë përgjigjja e administratores së klinikës, që pas kësaj historie, i ka vendosur kapak çështjes duke thënë se: “Ndizni qiri në çdo kishë që të shkoni”...

Më datë 23.12.2009 konform të gjitha rregullave gruaja ime, Marika, për shkak të disa shqetësime në stomak kryen një fibrogastroskopi në klinikën ortodokse në Tiranë.
Gjatë ekzaminimit, mjeku midis të tjerave konstaton një polib në fund të ezofagut. Sipas rregullit merr material nga polibi dhe po atë ditë dërgohet për analizë në laborator.
Më datë 28.12.2009 në orën 8.30 mjeku i laboratorit te dera e laboratorit na komunikon mua dhe vajzës time rezultatin e analizës. “Analiza nuk ka dalë mirë. Polibi ka dalë malinj. Mendoj se duhet operuar sa më shpejt, sepse mund të ketë lëshuar gjëndra. Mos humbisni kohë në spitale të tjera se mjekët nuk kanë eksperiencë. Ju rekomandoj një doktor në spitalin Nënë Tereza. Ai është i mirë”.
Datë 29. 12. 2009 në orën 8.30 bashkë me mjeken laborante, një të njohurën tonë, shkojmë në pavijonin kirurgjisë për të takuar doktorin. Laborantja takon dy mjekë të tjerë, të cilët e njoftojnë se kirurgu ndodhet në operacion dhe ndërkohë i sugjerojnë që të konsultohemi edhe me një mjek gastrohepatolog.
Gastrohepatologun e takojmë në hyrje të pavijonit, i cili pasi sheh fotografitë e fibrogastroskopisë dhe përgjigjen e analizës thotë:
“Nga eksperienca që kam ky polib i vogël milimetrik me formë të rregullt më duket inoçent dhe çudi si ka dalë me natyrë të keqe (malinj). Megjithatë, unë mendoj që para se të shkojmë te operacioni të bëjmë një fibriogastroskopi te një tjetër klinikë private “Nora””. Atje takojmë mjekun i cili pasi ekzaminon fotografitë thotë: “Rastin tuaj e kemi diskutuar edhe me mjekun gastrohepatolog. Edhe unë dyshoj në natyrën e keqe të polibit. Mendoj që fibriogastroskopinë të mos e bëjmë sot, sepse vendi mund të jetë dëmtuar nga ekzaminimi i mëparshëm. Ju propozoj ta shtyni ekzaminimin për një muaj dhe ju siguroj që edhe nëse polibi mund të ketë natyrë të keqe, për vetë dimension që ka (1-1.5 mm) nuk do të ketë evoluim negativ. Kur të bëjmë fibriogastroskopinë në fund të janarit ose fillim të shkurtit do ta heqim polibin, unë i kam mjetet dhe ta dërgojmë për analizë”.
Datë 30.12.2009 ora 7.30 në pavijonin e urgjencës së kirurgjisë takoj një tjetër mjek, i njohuri im. Pasi pa fotografitë dhe analizën më tha i shqetësuar: “Më vjen keq po doktori ka të drejtë, duhet operuar. Unë do asistoj patjetër në operacion”.
Teksa i tregoja për opinionet e dy mjekëve të tjerë, i njohuri im më tha: “Kjo çështje është e diskutueshme, por në të tilla raste operimi duhet bërë sa më parë.
Më datë 6.01. 2010 në orën 7:30 shkoj tek urgjenca për të takuar mjekun, të njohurin tim. E gjej duke pirë kafe në klubin e spitalit bashkë me kirurgun që më ishte rekomanduar për të operuar bashkëshorten.
I njohuri im u shkëput dhe erdhi në tavolinën ku isha ulur. Pyetjes time se si do të shkojë puna dhe çfarë përfaqëson operacioni ai më tha duke e skicuar në letër:
“Në rastin më të mirë do të hiqet një pjesë e ezofagut dhe një pjesë e stomakut. Do të bëhen edhe disa seanca kimioterapi. Në rastin më të keq po të ketë përhapje ndërhyrja do të jetë më e zgjeruar. Unë sugjeroj që të bëjmë një skaner nga fillimi i ezofagut e deri në fund të barkut”. Po ashtu mjeku më tha se çdo të enjte në shërbimin e gastrohepatologjisë bëhet një konsultë e përbashkët dhe aty do të diskutohej edhe problemi i Marikës, bashkëshortes.
Datë 07.01. 2010. ora 8:30 realizohet konsulta, e cila zgjati rreth 2.30 orë. Nga grupi i kirurgëve marrin pjesë disa mjekë. Në përfundim takoj kirurgun që më kishin sugjeruar për operacion. Ai më tha: “U vendos varianti i propozuar nga gastrologët. Për 2-3 javë nuk besoj se rëndohet gjendja”.
Ndërkohë që një mjek i ri i cili kishte mbaruar studimet jashtë më tha se: “Mbi 2 orë u morëm me rastin e gruas tuaj. U vendos të mos operohet tani”. Të dy mjekët më thanë se u vendos se do të pritet rezultati i fibriogastroskopisë së dytë, që do të bëhet në fund të janarit. Të gjithë ishin dakord që brenda 2-3 javëve nuk ka agravim të situatës.
Datë 07. 01. 2010 rreth orës 14:00 bashkë me një mikeshë familjare shkojmë për konsultë te klinika “Alba Turk”. Doktori i cili pasi u njoh me gjendjen na dha ofertat për vizitë fibriogastroskopike në Turqi, si dhe çmimet e disa analizave të hollësishme. Kur po largoheshim doktori më pyeti nëse mund të siguroja materialin e polibit të analizuar nga klinika ortodokse të cilin do ta dërgonte për analizë biopsie në laboratorët e spitaleve të tyre.
Datë 08. 01. 2010 ora 14:00 shkoj në klinikën ortodokse dhe i kërkoj laborantit lamat e parafinën e materialit të polibit dhe pasi e rishikoi edhe një herë në mikroskop m’i dha. Po atë ditë i dërgova në klinikën “Alba Turk”.
Datë 08. 01. 2010 shkoj në klinikën italiane “Vila Maria” ku takoj doktorin përkatës. Pasi u njoh me problemin më informon për mundësitë e ekzaminimit dhe të operimit në spitalet italiane.
Datë 12. 01. 2010 realizohet skaneri nga doktori dhe rezultati doli i mirë. Të gjitha organet ishin të pastra.

Datë 12. 01. 2010 ndjeva detyrimin që për rezultatin e analizës të informoja mjekun që bëri fibriogastroskopinë e parë. Pas shumë përpjekjesh arrita ta takoj te klinika “Ikeda”. Për rezultatin e analizës u ndie i çuditur. “Ju më garantuat se polibi nuk ka natyrë të keqe”, i thashë.
Ai ngriti supet dhe më tha se e zeza është shkruar mbi të bardhë.
“Më kanë thënë për ta operuar a mund të më sugjeroni diçka qoftë këtu apo jashtë shtetit”, i thashë.
Nuk u shpreh kundër operimit. “Unë kam kryer specializimin në Romë dhe mund t’ju rekomandoj profesorët e mi”, më tha mjeku që interpretoi analizën e parë.
Pyetjes time nëse do të ishte më mirë të mos e ngacmonim polibin, iu përgjigj duke më pyetur për profesionin. Pasi iu përgjigja më tha: “Më vjen keq ju nuk vini nga fshati. Kjo është praktikë mjekësore”.
E ndjeva veten në faj për pyetjen idiote. U largova pa u sqaruar mirë, sepse ai nuk kishte kohë.
Datë 14. 01. 2010, ora 21:00 marrin në telefon nga klinika “Alba turk” dhe më japin njoftimin e doktorit nga Turqia. “Materiali i analizuar lamat dhe blloku i parafinës i marrë nga klinika ortodokse ka dalë i pastër pa qeliza të malinjilizuara”.
Datë 18. 01.2010 takoj katër mjekët me të cilët kisha folur gjatë kësaj kohe dhe i dhashë përgjigjen e klinikës turke.
Mjekët që takuam pas ekzaminimit të parë, pasi u njohën me fletë-analizën e shtynë ekzaminimin e lënë për në fund të muajit janar, në fund të muajit mars.

Gjatë gjithë muajit janar e deri në mesin e shkurtit tentova të takoj administratoren e klinikës ortodokse, por ishte e pamundur. Ajo për një kohë të gjatë ishte në Greqi. Në mesin e muajit shkurt shkoj në administratën e kishës ortodokse dhe takoj privatisht At Asti. Pasi më dëgjoi ai lidhet në telefon me administratoren e klinikës ortodokse. Ajo nuk pranoi që laboratori i klinikës kishte gabuar. Gjatë muajve shkurt - mars mundohem të siguroj një vizë për në Itali. Qëllimi ishte të bënim një fibriogastroskopi të dytë dhe një analizë të saktë biopsie të materialit, kjo për të shmangur dyshimin.
Datë 08.04. 2010 realizohet vizita në spitalin “Valduçe” të qytetit të Komos. Që në njohjen me dokumentacionin që kisha sjellë nga Shqipëria mjeku italian shprehu mendimin e qartë për pasaktësinë e analizës: “Unë ju jap garanci 100 për qind që polibi nuk ka natyrë të keqe. Analiza është e pasaktë. Ky mjek që me pasaktësinë e tij ju ka sjellë deri këtu ose është i çmendur ose johuman”.
Mjeku italian realizon fibrogastroskopinë, heq polibin dhe e dërgon për analizë.
Datë 15. 04. 2010 del përgjigjja e analizës së polibit. Nuk ka qeliza të malinjizuara. Alarmi nga pasaktësia e klinikës ortodokse i dhënë më datë 28.12.2009 që na shkaktoi kaq vuajtje dhembje e shpenzime, del i pabazuar.
Datë 26.04.2010 takoj më në fund administratoren e klinikës ortodokse dhe i shpreha shqetësimin.
Datë 05.05.2010 bëj denoncim me shkrim në Drejtorinë e Urdhrit të Mjekut ndaj klinikës ortodokse dhe mjekut laborant, për pasaktësinë, mashtrimin, me pasoja kriminale për shëndetin mendor e fizik të gruas time dhe gjithë familjes për stresin, vuajtjen dhe shpenzimet e rënda, për gjendjen financiare modeste të familjes.
Datë 05.05 2010 në orën 18:00 bëhet ballafaqimi në klinikën ortodokse ku morën pjesë administratorja, mjeku laborant, mjeku me të cilin u konsultuam pranë kësaj klinike një përkthyes dhe një miku im, Edmond Bunguri.
është për t’u theksuar se këtë takim e kërkoi administratorja e klinikës. Mendova se ajo e vlerësoi problemin dhe se gjykonte drejt e me përgjegjësi. Me këtë mendim pranova të marr pjesë.
Në ballafaqim mjekët nuk u treguan të sinqertë e të përgjegjshëm. Me dyshime alibia e justifikime në kundërshtim e në mungesë respekti për faktet zyrtare që iu vunë në dispozicion ata u munduan t’i shmangen përgjegjësisë me solidaritet të sëmurë.
Konkluzioni i administratores ishte:
“Ju duhet të jeni të lumtur që nuk doli sëmundja e rëndë për të cilën u dyshua. Ju këshilloj të shkoni nëpër kisha e të ndizni qirinj”.
Nuk u kërkua as ndjesë, nuk u mbajt asnjë përgjegjësi dhe nuk tha asnjë fjalë për kompensimin tonë shpirtëror, moral e financiar...
I thashë se ky problem nuk mbyllet me kaq. Unë kërkoja nga ata të mbanin përgjegjësi për pasaktësinë e tyre me pasoja të rënda.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›