KE, kontroll prokurorisë për krimin e organizuar

Komisioni Europian ka “kontrolluar” prokurorinë shqiptare në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE. Një grup raportuesish të KE-së kanë zhvilluar ditën e djeshme takime në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Tiranës, ku janë interesuar për një sërë procedurash që ndiqen nga akuza shqiptare për çështje të rëndësishme hetimore. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip” se takimet kanë qenë konfidenciale dhe raportuesit e KE-së janë interesuar për çështjet e krimit të organizuar, reformës në drejtësi dhe implementimit të ligjit të ri “Antimafie”. Duket se ligji që konfiskon asetet e krimit të organizuar ka qenë një pjesë e mirë e pyetjeve të raportuesve të Këshillit të Europës, duke marrë nga zyrtarët e prokurorisë shqiptare informacione për t’i bashkëlidhur më pas në raportin që do të përgatisin për Shqipërinë.
KontrolliEkspertër e Komisionit Europian, së bashku me një përfaqësues të Ministrisë së Integrimit, janë paraqitur dje paradite në ambientet e akuzës qendrore, duke zhvilluar takime me drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë, drejtorin e Hetimit dhe me drejtuesin e njësive Task-Forcë në akuzën qendrore. Raportuesit kanë marrë informacione nga shefat e sektorëve të prokurorisë shqiptare. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se zyrtarët e KE-së kanë kërkuar të dhëna shtesë nga përgjigjet që ka dhënë prokuroria për procesin e Stabilizim-Asocimit. Disa muaj më parë, organi i akuzës u ka dhënë përgjigje rreth 90 pyetjeve të BE-së për krimin e organizuar, reformën në drejtësi dhe për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe me prokurorinë. Përgjigjet i janë dërguar Ministrisë së Integrimit dhe më pas janë dërguar në KE. Por duket se raportuesit kanë pasur paqartësi për disa pyetje dhe kanë preferuar ta “kontrollojnë” personalisht organin e akuzës. Mësohet se gjatë takimeve që kanë zhvilluar në prokurori, janë diskutuar edhe çështje konkrete për mënyrën e funksionimit të ligjit dhe më pas informacioni i marrë do të kontrollohet me përgjigjet që kanë dhënë zyrtarët e prokurorisë. Pas takimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, raportuesit janë drejtuar në Prokurorinë e Tiranës, kryesisht në njësinë hetimore Task-Forcë, e cila është marrë si shembull nga shumë prokurori në vende të ndryshme për mënyrën e funksionimit dhe goditjes së krimit shtetëror.
ProblematikatBurime nga Prokuroria e Tiranës thanë se një pjesë e mirë e pyetjeve të raportuesve të KE-së kanë qenë për pastrimin e parave dhe për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë, duke ditur se njësia hetimore në Prokurorinë e Tiranës funksionon prej tre vitesh dhe ka dhënë disa rezultate. Raportuesit janë njohur me mënyrën e punës së kësaj strukture, si dhe me problemet që has në përditshmëri. Kreu i Task-Forcës, Dritan Rreshka, i ka informuar raportuesit e KE-së për çështje konkrete dhe për mënyrën e zgjidhjes nga prokuroria dhe gjykata. Ndërkombëtarët kanë ngulmuar më shumë te veprat penale të pastrimit të parave, ndërsa nga prokuroria u bë me dije se kjo strukturë ka rreth 20 çështje të tilla, ndërsa po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për sekuestrimin dhe bllokimin e aseteve që kanë prejardhje kriminale. Goditja dhe bllokimi i pasurive të bandave kriminale ishte një nga “detyrat e shtëpisë” që iu la Shqipërisë pas rekomandimit për heqjen e vizave, megjithatë hartimi dhe hyrja e vonuar në fuqi e ligjit “Antimafia” duket se është bërë shkak që ekspertët e KE-së të gjejnë në Tiranë një numër të reduktuar rastesh në hetim. Drejtuesit e prokurorisë u bënë me dije raportuesve të KE-së edhe të dhëna për vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve të administratës shtetërore. Ndërkohë, sot pritet që delegacioni i KE-së të zhvillojë takime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Durrësit.
#