E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, rregulla të reja për faljen e bizneseve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 20-06-2011 12:07

Për bizneset që janë në proces kontrolli nga tatimorët, për detyrimet ndaj shtetit, ka një procedurë dhe afat të ri për faljen fiskale. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, thuhet se “në rast se, kontrolli tatimor te tatimpaguesi ka filluar përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 dhe udhëzimit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” dhe tatimpaguesit nuk i është dorëzuar raport kontrolli, atëherë tatimpaguesit i lihet afat 10 ditë kalendarike nga data e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, për të bërë vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore. Në rast se brenda këtij afati 10-ditor, tatimpaguesi nuk ka bërë vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore, atëherë kontrolli tatimor do të vazhdojë sipas ligjit të procedurave tatimore”. Gjithashtu me këtë udhëzim, Ministria e Financave ka sanksionuar qartë se nga falja përfitojnë edhe taksat e pashlyera. Kështu në “Falja e detyrimeve tatimore” shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Tarifat, kombëtare apo vendore, të cilat për nga natyra, mbledhja dhe administrimi i tyre, legjislacioni i ka njehsuar me taksat”. Megjithëse ligji dhe udhëzimet përkatëse për faljen fiskale kanë hyrë në fuqi, qytetarët apo bizneset që duan të përfitojnë nga ligji i faljes, akoma nuk dinë se ku duhet të drejtohen për të plotësuar formularët. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thonë vetëm se, janë ngritur grupet e punës që do të verifikojnë formularët, si dhe po përgatitet lista e të gjithë tatimpaguesve, sipas kategorive që do të përfitojnë nga ky ligj. Jemi në fazën kur ky ligj duhet të kishte nisur zbatimin, dhe do të duhej të pyesnim sa është numri i aplikantëve, akoma bizneset dhe qytetarët po presin mënyrën se si do t’i bëjnë realitet përfitimet që ata do të kenë nga ligji i faljes dhe i legalizimit. Në bazë të këtij ligji, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre, si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe kombëtare. Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Por ngelet akoma e pa sqaruar se si do të funksionojë administrimi i procesit nga ana e institucioneve fiskale dhe bankare në vend. Zbatimi i këtij ligji pritet t'i japë ekonomisë shqiptare një impuls zhvillimi, si dhe të fusë në qarkullim miliona euro. Ministria e Financave i ka bërë publike procedurat se si do të veprojnë kategoritë përkatëse, për të përfituar nga ligji i faljes fiskale, i cili ka hyrë në fuqi dhe do të jetë aktiv deri në përfundimin e procesit më 31 dhjetor 2012. Të gjithë individët, persona fizikë apo juridikë, shoqëri tregtare që parashikohen në ligj, do të legalizojnë kapital apo rivlerësojnë pajisje, makineri dhe objekte, do të përfitojnë nga falja tatimore, doganore, apo do të hipotekojnë apartamentet, sipas udhëzimeve të publikuara në Fletoren Zyrtare, do t’i nënshtrohen fillimisht plotësimit të formularit. Formulari i aplikimit me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e nivelit të dytë.

Në rast se, brenda këtij afati 10-ditor, tatimpaguesi nuk ka bërë vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore, atëherë kontrolli tatimor do të vazhdojë sipas ligjit të procedurave tatimore

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›