Bode: Shqipëria në grupin e vendeve të zhvilluara më 2017
Shqipëria, falë reformave ekonomike të ndërmarra, është në rrugën e drejtë për tu futur në grupin e vendeve të Zhvilluara në vitin 2017, tha dje në forumin e biznesit të "Bankës së zhvillimit dhe tregtisë e Detit të Zi", ministri i Financave Ridvan Bode. Ministri i Financave vuri theksin te performanca ekonomike e Shqipërisë, në përballimin e krizës globale. Duke vënë në dukje investimet e qeverisë dhe lehtësimin e barrës fiskale, ai prezantoi para panelit të pjesëmarrësve në forum edhe potencialin turistik të Shqipërisë.
Banka e zhvillimit dhe tregtisë e Detit të Zi është themeluar në vitin 1999. Ajo ka 11 vende anëtare, ndërsa Shqipëria merr pjesë me 2% të kapitalit themeltar. Bordi i Guvernatorëve të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB) organizoi takimin e 13-të vjetor të tij në Tiranë nën kryesinë e Nezir Haldeda, Guvernatorit të BSTDB për Shqipërinë dhe Zëvendës Ministër i Financave i Republikës së Shqipërisë. Bordi miratoi pasqyrat financiare të Bankës për vitin 2010. Banka realizoi një fitim neto (10.7 milionë euro) për vitin e gjashtë radhazi, pavarësisht nga efektet negative të krizës globale financiare. Aktiviteti i Bankës rriti ritmin në vitin 2010 pas politikës së vështirë, por të domosdoshme, të kujdesit dhe konsolidimit, e ndjekur gjatë viteve 2008-2009. Projektet e reja të miratuara arritën në 215 milionë euro në vitin 2010, duke shënuar një rritje prej 36% në krahasim me 2009-ën, ndërsa projektet e reja të firmosura u rritën me 90% nga viti në vit, duke kapur shifrën e 199 milion eurosh. Gjatë vitit 2010 BSTDB-ja arriti të ruajë edhe cilësinë e lartë të huave të portofolit të saj të kredisë. Ecuria e mirë operative dhe mbështetja e fuqishme nga ana e aksionerëve kontribuoi në vlerësimin fillestar të fuqishëm prej A/A1 nga Standard & Poor’s më 16 Qershor. Ky vlerësim erdhi si rezultat i vazhdimësisë së vlerësimit afatgjatë të Moody’s investors Service, që më 30 Shtator 2010 u përmirësua në A3. Ky vlerësim do të përmirësojë aftësinë e Bankës për fonde të reja dhe do të mundësojë kushte më të mira financimi për klientët e saj në rajon. Bordi i Guvernatorëve vendosi t’i japë statusin e Vëzhguesit Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke bërë që numri i institucioneve vëzhguese të BSTDB-së të arrijë në nëntë. Bordi zgjodhi Arthur Javadyan, Guvernatori për Armeninë në BSTDB, si kryetarin i ri të Bordit të Guvernatorëve të BSTDB, dhe guvernatorët e Azerbajxhanit dhe Bullgarinë si Zëvendës Kryetarët e Bordit për një periudhë prej një viti. Takimi tjetër vjetor i Bordit të Guvernatorëve të BSTDB-së do të zhvillohet në Jerevan, Armeni, në Qershor 2012. Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB) është një institucion ndërkombëtar financiar i themeluar nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, dhe Ukraina. Selia e BSTDB është në Selanik, Greqi.