E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Financial Times”: Ukraina përballet me mungesë të armëve të mbrojtjes ajrore, ndërsa Pentagoni ngadalëson dërgesat

NJU JORK, 9 shtator /ATSH/- Ukraina është në rrezik për shkak të mungesës së armëve të mbrojtjes ajrore – ndërsa ndihma ushtarake nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka rezultuar në dërgesa më të ngadalta, në një kohë kur Moska ka intensifikuar sulmet ajrore, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas, sipas “Financial Times”.

Presioni mbi furnizimet është bërë më akut pas disa muajsh dërgesash të parregullta dhe më të vogla se sa pritej – pas një direktive të Pentagonit në qershor.

Zyrtarët dhe analistët paralajmëruan se nëse Moska vazhdonte të përshkallëzonte luftën ose thjesht të ruante ritmin e saj më të lartë të sulmeve me raketa dhe dronë, njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase do të përballen me mungesa.

Cenueshmëria e Ukrainës u theksua pasi presidenti Volodymyr Zelensky raportoi sot të paktën 21 të vrarë – në një sulm ajror rus në Yarova, një fshat në rajonin e Donetskut.

Zelensky, i cili postoi në Telegram një video të pasojave të sulmit, tha se civilët e vdekur përfshinin pensionistë që prisnin të merrnin pensionin e tyre.

“Bota nuk duhet të heshtë”, tha ai.

Ngadalësimi i furnizimeve të mbrojtjes ajrore ka qenë veçanërisht shqetësues sepse raketa të tjera të siguruara direkt nga prodhuesit në kuadër të një programi të veçantë, “Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës”, prodhohen në grupe, duke lënë boshllëqe midis dërgesave.

Vendet e BE-së gjithashtu kanë rënë dakord, të dërgojnë sisteme dhe municione të mbrojtjes ajrore nga stoqet e tyre dhe të blejnë të tjera nga SHBA-ja – për t’i mundësuar atyre të furnizojnë Ukrainën, por këto dërgesa kanë filluar të mbërrijnë vetëm pjesërisht.

Forcat ruse nisën sulmin më të madh masiv ajror ndaj Ukrainës që nga pushtimi i tyre në shkallë të plotë, duke lëshuar 805 dronë “Shahed” dhe dronë mashtrues dhe 13 raketa kruiz dhe balistike, duke vrarë katër persona.

Sulmet me raketa dhe dronë janë kryer ndërsa trupat ruse po avancojnë drejt qyteteve strategjikisht të rëndësishme në Ukrainën lindore.

Ndërsa Ukraina ka paralajmëruar prej kohësh për mungesën e furnizimeve për mbrojtjen e saj ajrore, përfshirë edhe gjatë administratës së Joe Biden, sulmet intensifikuese të Moskës i kanë rritur shqetësimet edhe më shumë.

“Pas një shqyrtimi të gatishmërisë së 10 sistemeve të rëndësishme, Pentagoni fillimisht ndaloi dhe më pas ngadalësoi dërgesat në Ukrainë të interceptuesve “Pac-3” për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”, dhjetëra sisteme mbrojtëse ajrore “Stinger”, predha artilerie, më shumë se 100 raketa “Hellfire” dhe raketa “Aim” të lëshuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore “Nasams” të Ukrainës dhe avionët luftarakë F-16″, thanë zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas.

“Forcat e Kievit që nga vera kanë shpenzuar municione të konsiderueshme duke u përpjekur të mbrohen nga sulmet ajrore intensive – që synojnë infrastrukturën ushtarake dhe civile”, thanë zyrtarët ukrainas.

Sulmet ruse janë përshkallëzuar që kur presidenti  Vladimir Putin u takua me homologun e tij amerikan, Trump në Alaskë, muajin e kaluar.

Rusi kreu të dielën sulmin më të madh me dronë dhe raketa në Kiev dhe qytete të tjera, kur ndërtesa e kabinetit të Ukrainës u godit për herë të parë gjatë luftës.

Javën e kaluar, Zelensky tha se kishte udhëzuar sekretarin e tij të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov – të koordinonte zyrtarët e Ukrainës, administratat rajonale dhe kompanitë e energjisë – për të siguruar sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme.

“Prioriteti është interceptimi i dronëve sulmues “Shahed” të Rusisë të projektuar nga Irani”, tha ai.

Zelensky tha se ishte takuar me zyrtarë të forcave ajrore ukrainase për të diskutuar përshpejtimin e furnizimeve me sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Aleatët evropianë të Ukrainës kanë filluar të blejnë armë amerikane për vendin pas një marrëveshjeje të arritur me Trump gjatë një samiti në Shtëpinë e Bardhë në gusht – për të lejuar shitjen indirekte në Kiev, të cilën Andriy Yermak, shefi i stafit të Zelensky e quajti një “pikë progresi”.

Përpjekja, e udhëhequr nga vendet e NATO-s, u lejon vendeve pjesëmarrëse të blejnë pajisje ushtarake dhe municione nga rezervat amerikane për Kievin.

“Partnerët evropianë blenë armë me vlerë 2 miliardë dollarë në gusht, përfshirë pajisje për mbrojtjen ajrore”, tha Zelensky të mërkurën e kaluar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›