FOKUS – Finlanda refuzon paqen me Rusinë “në kurriz” të Ukrainës

BERLIN, 9 shtator /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen përjashtoi sot mundësinë për t’i dhënë Rusisë territorin ukrainas – sipas një marrëveshjeje paqeje, gjate takimit te ambasadorëve në Ministrinë e Jashtme Gjermane, në Berlin.
“Heqja dorë nga e drejta për integritet territorial do të thotë se, në vitin 2025, ne po e kthejmë realitetin tonë në kohën e Luftës së Dytë Botërore”, tha Valtonen në konferencën e ambasadorëve.
“Kjo do të kishte pasoja kolosale dhe të tmerrshme për të gjithë botën. Bashkëjetesa e kombeve nuk do të qeveriset nga një sërë rregullash të miratuara bashkërisht, por nga pamëshirshmëria e më të fortit”, shtoi ministrja.
“Kjo do të ishte gjithçka tjetër përveç paqes në afat të shkurtër dhe të gjatë”, tha ajo.
Ministrja finlandeze tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk është i gatshëm të binte dakord për një armëpushim apo edhe të negocionte.
“Nëse disa pjesë të territorit ose sovranitetit të Ukrainës do të sakrifikoheshin në negociata, ne nuk do ta kishim zgjidhur problemin themelor”, shtoi Valtonen.
“Problemi i Putinit nuk mund të zgjidhet në kurriz të Ukrainës”, theksoi ajo.
Valtonen i bëri thirrje botës së lirë të frenojë ambiciet e Rusisë në mënyrë strategjike, duke theksuar se kostot duhet të përballohen në nivelin e BE-së.
“Hapësira e manovrimit të Rusisë duhet të kufizohet përmes sanksioneve të mëtejshme”, tha Valtonen, duke kërkuar vendosjen e tarifave për çdo eksport rus në tregun e brendshëm të BE-së.
“Moska duhet të mbajë përgjegjësi për luftën dhe krimet e saj të panumërta në Ukrainë”, tha ajo.
Çdo vit, udhëheqësit e më shumë se 220 misioneve diplomatike gjermane në të gjithë botën mblidhen në Ministrinë e Jashtme në Berlin për një konferencë katërditore – për të diskutuar përparësitë e politikës së jashtme dhe të sigurisë gjermane dhe rolin e vendit në një botë në ndryshim. //a.i/