E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financierja e Albademil: Në Gërdec, punë e zezë

GËRDECI/ Financierja e kompanisë së demontimit tha dje se nga 160 punëtorë të fabrikës, vetëm 37 ishin të siguruar


Dy ditë pas shpërthimit, Albademil depozitoi në llogaritë e MEICO-s 400 mijë dollarë nga detyrimet e kontratës


TIRANË- "Nga 160 persona që punonin në fabrikën e Gërdecit, vetëm 37 prej tyre ishin të siguruara edhe pse pa kontrata pune, ndërsa pjesa tjetër punonte në të zezë". Kështu deklaroi dje para Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, financierja e kompanisë "Albademil" Valbona Lloha, e thirrur me cilësinë e dëshmitares së akuzës në procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së "Gërdecit".


Sipas saj, kompania "Albdamil" ishte krijuar në maj të 2007 dhe përbej nga dy ortakë dhe dy administratorë, Mihal Delijorgjin dhe amerikanin Patrik Henri, që kishin zgjedhur si drejtor të fabrikës së demontimit Dritan Minxholli. "Kam punuar si ekonomiste me kohë të pjesshme në kompaninë "Albademil", ku bëja pagesat mujore të punonjësve të fabrikës.


Në Gërdec shkoja çdo muaj ku shpërndaja pagat nga zyra që kisha në atë fabrikë"-tha financierja Lloha që sqaroi se të gjitha listë-pagesat i bënte në prani të të pandehurit Minxholli në zyrën që kishte në Gërdec. "Numri i punonjësve ka qenë i ndryshëm në fabrikën e demontimit, por në total arrinte numrin e 160 personave, nga të cilët vetëm 37 ishin të siguruar, por nuk e di nëse kanë pasur kontrata pune.


Ndërsa pjesa tjetër ishte e pa siguruar dhe pa kontratë, dhe punonin në të zezë"-theksoi financierja Lloha. Ajo sqaroi më tej se të gjitha pagesat firmoseshin nga Mihal Delijorgji. Sipas saj, llogaritë bankare të "Albademil"-it i kishte në dy filiale të bankave në nivelit të dytë në vend, nga ku bëheshin pagesat rrogave dhe sigurimeve të personave që ishin të regjistruar. Më tej dëshmitarja shpjegoi edhe për marrëdhëniet financiare që shoqëria ku ajo punonte si ekonomiste kishte me ndërmarrjen MEICO.


"Ndërmarrja shtetërore MEICO ishte furnizuesja e shoqërisë "Albademil" për fishekët. Më saktë, ishte furnitore e kompanisë amerikane "Southern Ammunition Company" ose siç njihej me shkurtesën "SAC". Kjo e fundit ishte furnitore e "Albademil"-it, për shkak se ishte e regjistruar dhe paguante taksa e tatimet kjo kompani"-theksoi Lloha në përgjigjet e saj dhëna pyetjeve të prokurorëve të çështjes.


Ajo shtoi më trej se "Albademil"-i ka kryer pagesa disa herë në adresë të "MEIOC"-së. "Sipas bilancit zyrtar të bërë deri më 31 dhjetor 2007, "Albademil" i detyrohej "MEICO"-së një shumë prej 400 mijë dollarësh.


Kjo derdhje u krye me 17 mars të 2008, vetëm dy ditë pas shpërthimit.
Mihal Delijorgji me ndihmën e shoferit të tij personal më ka sjellë shumën prej 400 mijë dollarësh amerikanë dhe kam shkuar e kam bërë derdhjen në bankë në llogaritë e "MEICO"-së. Po atë ditë kam tentuar të kryej edhe pagesën e sigurimeve shoqërore që kap shifrën e 25 mijë eurove, por, nuk arrita ta derdhja pasi oficerët e policisë gjyqësore më morën për të më pyetur lidhur me ngjarjen dhe detaje të tjera"-theksoi financierja Lloha.


Dëshmia e djeshme vërtetoi pretendimet e prokurorisë që kompania "Albademil" ka bërë pagesat ndaj MEICO-së vetëm pas ngjarjes së 15 marsit 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen. Në lidhje me shpërthimin ajo tha:


Ditën e ngjarjes kam qenë në zyrat që janë në Tiranë. Më mori në telefon amerikani Rod (ish-punonjës në Gërdec), nga qe nuk jam mirë në anglisht nuk po e kuptoja mirë. Pak sekonda më pas dëgjova Mihal Delijorgjin nga zyra ngjitur që po fliste në telefon dhe thoshte "hapi dyert e largo punëtorët sa më larg". Më pas doli në korridor dhe më tha se "ka rënë zjarr në Gërdec dhe po iki" duke u larguar nga zyrat"- tha në dëshminë e saj financierja Lloha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›