E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtruesit e Europol, premtonin pasaporta diplomatike

Gjykata vendosi të lërë në burg, dy të arrestuarit Fllaga dhe Ura, ndërsa gjatë seancës ata akuzuan njëri tjetrin për mashtrimet


Numri i të mashtruarve, sipas prokurorisë, mund të shkojë në 160 persona, të cilët kanë paguar nga 50- 2 mijë euro


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi izolimin në qeli nën masën e sigurisë "arrest me burg" deri në fund të hetimeve për dy "mashtruesit", Fatmir Fllaga, 55 vjeç, dhe Adriana Ura, 26 vjeçe, që kundrejt pagesave të majme premtonin punë në organizatën policore "Europol" bashkë me një pasaportë diplomatike.


Masa e sigurisë, u kërkua edhe nga prokurori i çështjes, Julian Xhengo, i cili renditi një sërë provash materiale në ngarkim të dy "mashtruesve" Ura dhe Fllaga, të dy banues në Tiranës.


Dy të arrestuarit, Ura dhe Fllaga gjatë fjalës së tyre para gjyqtarit të masave, akuzuan njëri-tjetrin për mashtrimet e realizuara. "Unë kam qenë e punësuar nga Fatmir Fllaga dhe punoja e flisja me njerëz mbi bazën e atyre që më ka thënë punëdhënësi im,- tha 26- vjeçarja Ura e cila kërkoi lirimin e saj. Nuk vonoi shumë dhe i menjëhershëm qe reagimi i 55-vjeçarit Fllaga, që sipas tij, pretendimet e vajzës janë mashtrim i saj i radhës. "Nuk kam punësuar njeri.


Edhe unë kam qenë pre e këtyre mashtrimeve të kësaj vajze dhe shokut të saj të shpallur në kërkim nga policia si bashkëpunëtore. Ata më kanë mashtruar edhe mua"-tha Fllaga duke i hedhur fajin juristes 26- vjeçare dhe një personi tjetër i shpallur në kërkim me urdhër të prokurorisë, që dyshohet se është i dashuri i kësaj të fundit. Akuzat e dy të arrestuarve ndaj njëri-tjetrit para gjykatës, bëri që mes tyre të plasë debati edhe në sallën e gjyqit, që u shuajt me urdhër të gjyqtarit të gatshëm.


Ai i hoqi të drejtën e fjalës të dy të arrestuarve. Më pas, avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykata caktimin e një mase më të butë sigurie për dy të arrestuarit e operacionit policor "Agjenti i Rremë". Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Task-Forcës, Julian Xhengo.


Ai para gjyqtarit dhe të arrestuarve e avokatëve mbrojtës shpalosi një sërë provash materiale dhe dëshmi të ndryshme, që implikonin dy të dyshuarit në akuzën e "mashtrimit" më shumë se një herë ndaj shumë personave.


Akuza


"Hetimet për këtë çështje kanë filluar dy muaj më parë, pas kallëzimit të një qytetari që ka qenë viktimë e këtyre "mashtrimeve". Të dyshuarit Adriana Ura, 26 vjeçe, dhe Fatmir Fllaga, 55 vjeç, së bashku me një person i shpallur në kërkim, kanë ngritur një zyrë ku mblidhnin rreth tyre persona të ndryshëm që kërkonin të punësoheshin.


Gjatë takimit që kishin me punë kërkuesit, të dyshuarit i premtonin se do të punësohej si agjent në një organizatë të quajtur herë "Europol" e në disa raste "Interpol", që merrej me kapjen dhe arrestimin e personave të kërkuar prej policisë së shteteve të ndryshme"-thuhet nga akuza. Nga verifikimi i kryer, sipas hetimeve, ka rezultuar se të dyshuarit kanë mashtruar rreth 150 persona, ku 85 prej tyre kishin paguar shuma të ndryshme nga 50 deri 2000 euro për vendimin e punës dhe një pasaportë diplomatike.


Të akuzuarit mashtronin me emrin e Berluskonit


"Ata përveç se i premtonin se do t'i punësonin në këtë organizatë që kishte qendrën në Itali, i premtonin atyre edhe një pasaportë diplomatike. Ku për ta disponuar atë i kërkonin të paguanin shuma deri në 2000 euro për person",-thanë burimet e akuzës.


Gjithashtu këto burime konfirmuan se të dyshuarit përdornin në ndonjë rast edhe emrin e vëllait të kryeministrit italian Silvio Berluskoni, për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e njerëzve të ndryshëm në kërkim të një pune me të ardhura të mira. Mësohet se gjatë këtyre ditëve ndaj "mashtruesve" të arrestuar dhe personit të shpallur në kërkim, pranë sektorit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit janë deponuar edhe rreth 10 kallëzime të tjera penale ndaj tyre.


Ndërkaq, arrestimi i dy të dyshuarve Ura dhe Fllaga, u krye katër ditë më parë nga drejtoria Operacionale e Policisë së Shtetit nën urdhrat e njësisë së përbashkët hetimore të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës në operacionin e koduar me emrin "Agjenti i rremë" në kryeqytet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›