E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me dyer të mbyllura

Diplomantët e instrumenteve të frymës të pasigurt për ushtrimin e profesionit në një tregun e mbyllur shqiptar. Orkestrat mbeten realitete të largëta, formacionet alternative nuk ekzistojnë. Ndërsa niveli i studentëve vjen duke u rritur, tregu mbetet në vend


Ditën e prezantimit të diplomës, studentët e vitit të katërt të instrumenteve të frymës duken të tensionuar. Instrumenti u ngre krye, duart i tradhtojnë, fyti u thahet dhe hera herës kthejnë shishen me ujë mineral që mbajnë afër ose kërkojnë shikimin e pedagogut. Kur prova e madhe ka mbaruar dhe e kanë lënë pas "sallën e ankthit", çehrja fillon t'u çelet dhe kërkojnë të marrin vesh ndonjë vlerësimit të komisionit.


Në këtë moment u duket absurde t'u shtrosh pyetjen: "E ke menduar ç'do të bësh më pas?" dhe menjëherë ngrenë supet dhe përgjigjen "Nuk e di". Sikur të mos e kenë çuar kurrë nëpër mend një shqetësim të tillë. Ndihet të pasigurt për të ardhmen, përballë tregut të ngopur me instrumentistë dhe hapësirave të pakta. Profesorët u shtrëngojnë supet, u japin kurajë dhe u thonë: "Luajte si një profesionist."


Ardit Abdia, student i klarinetës në klasën e Kiço Dakos u vlerësua nga komisioni për teknikën e arrirë dhe muzikalitetin në interpretimin e pjesëve: "Koncert për klarinetë nr. 2" Ëeber, Sonatën e Bersteinit, dhe pjesën solo të Buci-t. Ai thotë se nuk ka ndonjë plan, por do të donte shumë të hynte në ndonjë orkestër si ajo e Teatrit të Operës.


Një realitet i vështirë për t'u prekur, kur dihet sesa rrallë ushqehen orkestrat simfonike të Tiranës me gjak të ri. "Nëpër kuintete e kuartete, të them të drejtën nuk do të doja të isha. Orkestrat janë më dinjitoze", pohon Arditi, i vetëdijshëm për hapësirat e pakta ku ai mund të ushtrojë profesionin.


Ka edhe studentë që duan të hedhin hapa të ngadalta, të matura dhe mendojnë që njëherë të ngopen me formim muzikor, pastaj të mendojnë për thelën e madhe. Kështu është Daniela Dokolli që për punimin e diplomës zgjodhi të luante pjesë nga Hindemith, Bozza dhe Mecadante.


Daniela punoi katër muaj për diplomën, por atë ditë salla e koncerteve i dukej ndryshe dhe emocionet sikur i rrëmbyen pak nga gjallëria që donte të tregonte para pedagogëve. Studentja mendon që si fillim do ndihej mirë mësuese e flautit në Liceun Artistik "Jordan Misja".


"Për çdo lloj fushe besoj se duhet eksperienca në radhë të parë. Fillimisht mendoj të bëj një master", shprehet ajo. Daniela i numëron me gishtat e një dore ambientet ku mund të gjejë veten në Tiranë.


Studenti i klarinetës, Drini Maledhi nuk e ka dhënë diplomën dhe po përgatitet për dy pjesë të Artie Shoët dhe Copland, muzikë kontemporane, të cilat i ka përzemër.


Duke parë dyer të mbyllura rreth vetes, Drini nuk e ka djegur mundësinë e kthimit në vendlindje, në qytetin e Lushnjës. "Nuk e kam vendosur akoma. Por, në vendin tënd je më i sigurtë dhe do të më pëlqente, pse jo?", shprehet Drini i qetë, po e ka dhe një gjysmë shpresë për të filluar tek Banda e Ushtrisë. Kur e pyesim për pjesëmarrjen në njërën nga dy orkestrat e mëdha simfonike, Drini buzëqesh.


Po pedagogët, çmendojnë për alternativat e studentëve që mbarojnë?


Ndaluam të pyesnim disa nga pedagogët që në dy ditë, më 26 dhe 27 qershor ishin në komisionin e vlerësimit të diplomave: Xhovalin Shestani (flaut), Kiço Dako (klarinetë), Fatos Jaho (fagot), Ilir Mërtiri (oboe), Fatos Qerimi (klarinetë).


Të gjithë bien dakord për nivelin e kënaqshëm të studentëve që mbaruan këtë vit. Pedagogu i flautit Xhovalin Shestani pohon se ndër diplomantë ka studentë të formuar dhe të një niveli që shënon progres.


Ai ka bindjen se Akademia e Arteve ka kapacitetet e duhura për të furnizuar edhe orkestrat simfonike. Shestani nuk merret me problemet që hasin studentët pas diplomimit, thjesht mendon se secili duhet të luftojë për veten e tij


Një tjetër pedagog po i klarinetës, Kiço Dako sheh si mundësi jo vetëm Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës, Radio-Televizionin, Orkestrat e rretheve, po edhe kuintetet, kuartetet, triot dhe formacionet që studentët i formojnë gjatë periudhës së studimeve.


"Dikush shfrytëzon edhe një lokal që shkon edhe punon bashkë me shokët, dhe lokale ka shumë. Mund të përdorin edhe saksofonin aty. Kështu që ka hapësira", përshkruan Dako të ardhmen "premtuese".


Fatos Jaho, pedagog i fagotit, i sheh me sy më realist kushtet e tregut për instrumentistët e frymës. Ai merr shembullin e një studenti nga rrethet, që e ka të pamundur ta sigurojë jetesën me dy-tri koncerte në vit.


Edhe kjo në rastin fatlum kur është pjesë e ndonjë formacioni.
Po cilët janë këto formacione muzikore për të cilat pedagogët këmbëngulin si mundësi të mira ku studenti gjen veten? Duket sikur përmenden thjesht për të rritur listën e mundësive për ata që e shohin të ardhmen me syze transparente.


Ja sesi e përshkruan Jaho këtë realitet: "Kuartetet dhe kuintetet janë në kuadër të shkollës, hyjnë tek lëndët në kuadrin e muzikës së dhomës. Nëse do të kishte investime pas mbarimit të shkollës do të funksiononin shumë mirë. Sa mbaron shkolla formacionet shkrihen. Të rrallë janë ata që riorganizohen dhe e gjejnë veten afër njeri-tjetrit". Një alternativë që pedagogu i fagotit sheh për aktivizimin e studentëve është roli i dublantit në orkestrat simfonike, praktikë që tani nuk aplikohet. "Kanë ngelur strukturat njësoj siç kanë qenë në kohën e diktaturës", përfundon Jaho.


Për klarinetistin Fatos Qerimi, kryetar i komisionit të vlerësimit të diplomave, kuintetet dhe kuartetet e krijuara janë iniciativa spontane që nuk prodhojnë asgjë. "Kam parë disa trio, kuartete të mjerueshme që nuk thonë gjë sepse nuk bëjnë jetë artistike. Që të kesh një kuartet do të thotë një traditë artistike, një traditë spektaklesh.


Tek ne mund të bëhet një shfaqje dhe pas një periudhe 2-vjeçare bëhet një tjetër", shpjegon Qerimi i cili beson që këto formacione që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, janë më tepër romantike dhe të stilit klasik, që "janë ndërtuar nga profesionistë për të mbajtur gjallë profesionin, por nuk kanë të bëjnë me kontribute të fuqishme që t'i shpalosen auditorit".


Problemi më i madh për Qerimin qëndron tek mungesa e konkurrencës. "Ky kualitet që ne prodhojmë përplaset me strukturat e vjetra të Orkestrave tona Simfonike. Akoma nuk është hapur kompeticioni i pastër që këta studentë të kenë mundësinë reale në institucionet artistike.


Unë mendoj që ka ardhur momenti i një reforme dhe ristrukturimi të formacioneve artistike, si dhe i një pasurimi të tyre me instrumentistë të rinj, të cilët janë të nivelit më të mirë sesa ata që kanë dalë para disa vitesh". Si shef i Departamentit të Interpretimit në Akademinë e Arteve, Qerimi e njeh ndryshimin e nivelit të studentëve nga viti në vit dhe mendon se me futjen e Kartës së Bolonjës ka një stabilitet artistik.


Niveli i studentëve është rritur ndjeshëm, kurse kushtet e aktivizimit të tij kanë ngelur po ato. Ai pohon se 60% e diplomantëve të këtij viti janë të gatshëm për të hyrë në Orkestrat Simfonike. Studentë që diplomohen këtë vit për instrumentet e frymës janë 26.


Në këtë hapësirë të mbyllur ata e kanë të pamundur të provojnë edhe me muzikën eksperimentale. "Nuk shohim një grup, një formacion që të ketë mbaruar Akademinë e Arteve dhe të ketë ide, të cilat të zhvillojnë artin", i vë kapak problemeve Qerimi, duke renditur ndër këto nisma edhe krijimin e Big Band-it, por që është shumë pak, vetëm një shkëndijë që studentët të fillojnë të ndërtojnë idetë e tyre.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›