Fini-Topalli: Liberalizimi i vizave, meritë e Shqipërisë
Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, shprehet se Shqipëria meriton liberalizimin e vizave. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryetaren e Kuvendit, ai pohoi se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm përpara. Liberalizimi i vizave për shqiptarët është i merituar dhe nuk vjen si dhuratë, - theksoi Fini. Më tej, ai ka shprehur kënaqësinë që erdhi në Shqipëri, duke e konsideruar këtë si një detyrë pas vizitës së kryeparlamentares Topalli në vendin fqinj. Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë pohoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë është mjaft intensiv, ndërkohë që raportet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Presidenti Fini tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës, si një vendim krejtësisht i merituar. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Italinë për mbështetjen në këtë proces, ndërsa shtoi se Shqipëria ka plotësuar tashmë të gjitha detyrimet teknike. Topalli komentoi më tej edhe qëndrimin e opozitës duke i riftuar ata në Parlament. Si kryetare e Kuvendit i kam ftuar dhe vijoj ti ftoj deputetët e opozitës të zënë vendet e tyre në Parlament, duke shprehur të gjithë gatishmërinë dhe vullnetin për çdo kërkesë bazuar në Kushtetutë e ligj, për transparencën e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur,- pohoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se zgjidhja e ngërçit politik dhe realizimi i transparencës së zgjedhjeve nuk mund të vijë nëpërmjet rrugës, por duke respektuar rregullat e shtetit ligjor dhe Kushtetutën.