PD, Mëhilli: Rama të lejojë mjekët në grevë
Partia Demokratike i kërkoi dje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të lejojë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore për të bërë kontrollin e gjendjes shëndetësore të grevistëve. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, vuri në dukje se në një akt të ri mizor, pasi ka mbyllur në burg në mes të bulevardit deputetë dhe militantë të partisë së tij, pasi ka mbyllur në burg nëna me fëmijë të vegjël, Edi Rama nuk lejon autoritetet zyrtare shëndetësore të hyjnë në çadra dhe të asistojnë grevistët e urisë për shëndetin e tyre. Ndërkohë, - shtoi ajo, - që këtë proces ia ka besuar militantëve fanatik të Partisë Socialiste, të cilët fshehin sipas urdhrave të Ramës çdo problematikë shëndetësore të grevistëve", - theksoi Mëhilli. Sipas Mëhillit, ky akt i shëmtuar dhe i paprecedent edhe në burgjet e diktaturave më të egra, dëshmon qartë edhe një herë se çfarë janë të aftë të bëjnë Edvin Kristaq Rama dhe Gramoz Ruçi dhe pinjollët e tjerë të Blokut me qeniet njerëzore.
"Në burgun e urisë, sipas lajmeve që vijnë nga çadrat, ka edhe individë të sëmurë me diabet sheqeri, me sëmundje veshkash, me sëmundje të rënda deri në epilepsi apo ulcera stomaku, sëmundje të cilat në kushtet ku Rama i ka burgosur ata, kërcënojnë rëndë jetën e tyre. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit të lejojnë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore të bëjnë kontrollin e gjendjes shëndetësore të grevistëve dhe u rikujton atyre se këta njerëz janë viktimat e tij, por jo kavje që ai të mund ti trajtojë si plaçka personale", - deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.