E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fini-Topi: Italia, mbështetëse e Shqipërisë në BE

Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini, e siguroi dje kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, se Italia është ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e flaktë e Shqipërisë në përmbushjen e aspiratës së saj për tu integruar në Bashkimin Evropian me meritë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Gianfranco Fini dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe miqësia tradicionale mes nesh, të cilat vlen të zhvillohen e të thellohen më tej në shërbim të interesave të ndërsjella dhe angazhimeve të përbashkëta, që ekzistojnë mes palëve në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit. Presidenti Topi vuri në dukje faktin se Shqipëria e shikon Italinë mike e fqinje si një partner të rëndësishëm strategjik dhe mbështetëse të fortë në rrugën e saj për realizimin me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Gianfranco Fini u shpreh: Marrëdhëniet mes dy popujve dhe institucioneve të vendeve tona po përjetojnë një çast magjik. Zoti Fini vuri në dukje interesat në rritje të Italisë për të gëzuar marrëdhënie sa më të ngushta me një vend fqinj, i cili duhet të jetë krenar për atë çfarë ka arritur gjatë këtyre dy dekadave të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›