E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e Zafirit

Zafir Berisha ka vendosur t’i hakmerret subjektit të tij të dikurshëm, Partisë Demokratike të Kosovës, përmes rekrutimit të këshilltarëve komunalë, çka ka çuar deri te bllokimi i Asamblesë së Prizrenit.

Ish-Kryetari i Degës së PDK’së në Prizren ka arritur t’i marrë afër vetës tre këshilltarë të PDK’së - Naser Berishën, Shukri Qunin dhe Hajrim Qengajn. Kaq i kanë mjaftuar Zafir Berishës për t’ia humbur PDK’së dhe aleatëve të saj shumicën e thjeshtë në legjislativin e Prizrenit.

Nga 41 asamblistë, tash PDK me aleatët e saj i ka 18.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi që Zafir Berisha e braktisi PDK’në, kur pa se pas zgjedhjeve nuk po i ecte fjala në Komunën e Prizrenit.

Në bazë të Ligjit për Pushtetin Lokal, nëse nuk arrihet të zhbllokohet Asambleja Komunale për gjashtë muaj, atëherë në atë komunë duhen shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Duke parë këtë situatë, PDK në Prizren ka filluar të mendojë për koalicione shtesë.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, thotë se zgjidhja është te partitë opozitare.

“Si shumicë, nuk i kemi numrat në Kuvend. Por, autoritetet e PDK’së janë duke zhvilluar bisedime me partitë opozitare për të dalë nga kjo gjendje”, ka thënë Muja për Express të enjten.

Por, partia më e madhe opozitare, LDK, është përgjigjur negativisht.

Shefi i këshilltarëve të kësaj partie, Haziz Hodaj ka thënë se qytetarët kanë vendosur që partia e tij të jetë në opozita dhe nuk do të pranojnë të hyjnë në koalicion me PDK’në e Hashim Thaçit.

“Si degë e LDK’së dhe si këshilltarë jemi kundër një bashkëqeverisje me PDK’në. Nëse ne do të hynim në koalicion, atëherë LDK dhe këshilltarët komunalë do të ndaheshin”, ka shtuar ai.

LDK duket se synon zgjedhje të reja.

Në këtë frymë është hartuar edhe një deklaratë për media e kësaj partie.

“Nëse Kryetari Muja nuk përfill këto kërkesa, LDK dhe partitë opozitare do iniciojnë procedurat dhe nismat tjera ligjore për të zhbllokuar situatën në Kuvendin Komunal deri në kërkesën për zgjedhje te parakohshme-jashtëzakonshme në Komunën e Prizrenit”, thuhet në komunikatën e LDK’së.

Natyrshëm, zgjedhjet nuk janë opsion i dashur për PDK’në.

Sekretari i Degës së PDK’së, Njazi Kryeziu, thotë se është me rëndësi jetike për komunën që të zhbllokohet situata e krijuar.

“Jemi duke pritur vendimin për Universitetin e Prizrenit, për logon, për gjuhësinë dhe vendime tjera për urbanizim që duhet të kalojnë nëpër Kuvend. Një zgjidhje duhet gjetur”, ka thënë Kryeziu, duke shtuar se asnjë prej këtyre vendimeve nuk mund të merret, përderisa partitë në pushtet nuk e kanë shumicën në Asamblenë e Prizrenit.

Në këtë situatë, Zafir Berisha po i fërkon duart.

Ai thotë se nëse LDK nuk hyn në koalicion me PDK’në, atëherë qytetarët duhet të votojnë sërish në Prizren.

“Kjo është në dorën e Eqës (Eqrem Kryeziut). Nëse ai i ndihmon “Qytetarit Muja”, atëherë situata zgjidhet. Por, nuk besoj se Eqa do ta ndihmojë PDK’në, kur dihet lufta që është zhvilluar më 2007 dhe në zgjedhjet e fundit ndërmjet PDK dhe LDK’së”, ka thënë Berisha për Express.

Ai është shfaqur në humor të mirë, kur është pyetur nëse do të heqë dorë nga tendenca për ta bllokuar Asamblenë.

“Nëse vijnë dhe vajtojnë para meje, atëherë do të shikoj mundësinë për ta zhbllokuar Asamblenë e Prizrenit”, thotë ai.

Berisha paralajmëron formimin e një iniciative për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të përgjithshme.

Por, Kryetari Ramadan Muja nuk beson se do të ketë zgjedhje të reja.
“Besoj se do të gjendet një zgjidhje”, thotë ai.

Situatën në Prizren janë duke e përcjellë edhe zyrtarët e nivelit qendror, Ministria e Pushtetit Lokal.

Ministri Sadri Ferati nuk beson se do të krijohet vakumi institucional për të shkuar Prizreni në zgjedhje të reja për Asamble Komunale.

“Por, nëse Kuvendi vazhdon të mos jetë funksional, ne sipas ligjit do të mund të shpallnim zgjedhje për Asamble Komunale. Ligji e përcakton se nëse Kuvendi është jofunksional për gjashtë muaj, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet e reja”, ka thënë ai, për Express.

Përgjegjësitë e Asamblesë

Edhe pse Kryetari i Komunës ka kompetenca të shtuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, njëmbëdhjetë përgjegjësi janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit Komunal.
Në nenin 40, pika 2 thuhet se Kuvendi i Komunës nuk i delegon përgjegjësitë e tij lidhur me marrjen e vendimeve për:

a) Statutin dhe Rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe miratimin, ndryshimin dhe
shfuqizimin e tyre; b) miratimin e buxhetit dhe planeve investuese; c) miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për kuvendin sipas statutit apo rregullores së punës; d) planin vjetor të punës dhe raportin vjetor; e) themelimin e komisioneve të kërkuara sipas këtij Ligji; f) zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të komunës; g) niveli i tarifave dhe ngarkesave; h) krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të komunës, në pajtim me ligjin në fuqi; i) emërimin dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike; j) arritjen e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda komunale; k) marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të komunave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›