E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda rikthen Kuqin

Njazi Kuqi është ftuar në përfaqësuesen e Finlandës, pas një pauze mbi trevjeçare. Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me ekipin grek Panionios, sulmuesi vushtrrias mori ftesë nga selektori Mixu Paatelainen për ndeshjen miqësore kundër Austrisë. Për këtë ndeshje është ftuar edhe Përparim Hetemaj.

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me ekipin grek Panionios, Njazi Kuqi është ftuar në përfaqësuesen e Finlandës për ndeshjen miqësore ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet më 29 shkurt.

Selektori Mixu Paatelainen të martën e ka publikuar listën e të ftuarve për këtë takim, ndërsa në mesin e lojtarëve që do të bëjnë pjesë në kontingjentin finlandez është edhe futbollisti tjetër kosovar, Përparim Hetemaj, i cili luan në Chievo.

“Jam shumë i lumtur që jam ftuar. Unë u transferova në Panionios me qëllim që ta rikthej formën dhe të ftohem në Kombëtare dhe këtë e arrita. Tani shpresoj të më jepet rasti dhe të vazhdoj të luaj gjatë me Finlandën”, ka thënë Kuqi për Express.

Paatelainen ka vendosur ta lërë jashtë ekipit papritmas sulmuesin e njohur finlandez, Mikael Forssell, për ta ftuar sulmuesin vushtrrias, i cili po shkëlqen në elitën e futbollit grek.

“Njaziu është i gjatë dhe sulmues i shkathët, i cili po shkëlqen në divizionin e parë grek. Ai luan rregullisht nga 90 minuta dhe ka statistika të mira, duke shënuar çdo tri ndeshje”, tha trajneri finlandez në konferencë për shtyp.

“Nuk kemi shumë lojtarë që luajnë në vazhdimësi me klubet e tyre. Teknika dhe vetëbesimi te lojtarët është gjë e mirë dhe fitohet duke luajtur rregullisht në klubet përkatëse. Jam i sigurt se ai do t’i përshtatet tipit të lojës sonë mjaft mirë”, vazhdoi Paatelainen.

Kuqi me Finlandën ka debutuar në vitin 2005, derisa ka zhvilluar tri ndeshje me këtë përfaqësuese ku ka realizuar 3 gola. Herën e fundit, ai kishte luajtur për ekipin skandinav në shtator të vitit 2008, kundër Gjermanisë.

Ish-sulmuesi i Lahtit, Birmingham Cityt, Blackpoolit, Peterborough Unitedit, Groningenit, Carl Zeiss Jenas, Koblenzit, Dundees e TPS Turkus, që nga vera e vitit të kaluar ka rikthyer formën pas transferimit te skuadra greke Panionios. Ai me këtë ekip deri më tani ka zhvilluar 18 ndeshje dhe ka realizuar 7 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›