E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plot oferta për Xhakën

Granit Xhaka është bërë objektiv i shumë skuadrave evropiane. Për këtë ka siguruar drejtori sportiv i Baselit, Georg Heitz, i cili ka folur për situatën aktuale të mesfushorit kosovar.

Së fundmi flitet se Manchester Unitedit, Juventusi dhe CSKA i kanë bërë gati nga 10 milionë euro, por zyrtari i kampionit zviceran tregon se ka edhe klube tjera të interesuara për 19 vjeçarin.

“Nuk më pëlqen të jap emra, por mund të them se klubet që e kërkojnë janë të shumta, jo vetëm këta. Nuk më pëlqen të flas as për shifra e as për vlerat e ofertave e as kush i ka bërë ato. Mund vetëm t’ju konfirmoj se ka oferta konkrete, ndërsa zyrtare ishte vetëm ajo e Hamburgut”, deklaroi Heitz për ueb faqen italiane calcioemrcato.com.

Ai thotë se Xhaka është një lojtar i shkëlqyeshëm, kampion i botës për të rinj dhe se Baseli nuk do ta japë si dhuratë. Xhaka ka kontratë edhe tri vjet e gjysmë me Baselin, por ai mund të largohet gjatë verës. Sipas Heitz, për momentin Baseli e ka ndërmend ta mbajë, por që futbollit nuk i dihet kurrë. Ndërkohë, uebfaqja e njohur sportive, Goal.com e ka renditur mesfushorin kosovar si njërin prej shtatë talentëve më të mëdhenj të Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›