E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fino: Largimi i Malajt do ketë kosto për PS

Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino, i cili do të kryesojë edhe listën e kësaj partie në Qarkun e Korçës, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” vlerësoi dje se largimi i Arben Malaj nga partia do të ketë kosto për PS-në ndërsa shprehu keqardhje për këdo që nuk është përfshirë në listat e kandidimit. Duke ju referuar lëvizjeve në qarqe të deputetëve socialistë, Fino tha se nuk kanë qënë zgjedhje personale por një gjë e tillë është bërë në funksion të zgjedhjeve. Gjithashtu Fino ka komentuar edhe deklaratat e ish-kryeministrit Fatos Nano të bëra në emisionin e “360 gradë” në NEWS 24, të gazetarit, Artur Zheji.
Z.Fino, si e komentoni largimin e Arben Malaj nga Partia Socialiste dhe zëvendësimin e tij nga Koço Kokëdhima në Vlorë?
Është shumë interesante. Unë sapo dola nga një takim që po bëjmë prezantimin e kandidatëve për deputet në Qarkun e Korçës. Isha me Arta Daden dhe dy kandidatët që do garojnë në Pogradec, Ilir Xhakollin dhe Ilir Toron. Pyetja juaj ka të bëjë me listat, të cilat janë kompetencë e kryesisë së Partisë Socialiste. Është një kompetencë, e cila është diskutuar dhe është miratuar nga kryesia e kësaj partie. Kur ka një vendim kolegjial absolutisht ai duhet respektuar. Personalisht mund të më vijë keq për këdo, jo vetëm për Malajn, por edhe për kolegë të tjerë, të cilët i kisha në grupin parlamentar dhe sot nuk janë të përfshirë, por kjo nuk do të thotë që ne po punojmë për të dhënë pagën 70, 75 apo 77 deputetëve, absolutisht jo. Kjo është pjesë e politikës dhe e punës që ne bëjmë. Ne punojmë për të fituar pushtetin qëndror, që është shumë herë më i madh sesa 75 apo 77 deputetë. Kjo do të thotë që edhe ish-deputetët që kanë qënë kolegë të mi, janë pjesë e kësaj skuadre dhe natyrisht janë pjesë, të cilët do të bëjnë pjesë patjetër në strukturat e tjera të shtetit, kam parasysh këtu qoftë ekzekutivin apo qoftë edhe institucionet e tjera shumë të rëndësishme. E përjetshme nuk është kjo gjë, një ditë edhe mund të mos jesh deputet. Dëshira dhe vullneti i çdo kandidati është gjithmonë që të jetë deputet dhe një gjë e tillë është normale. Por ne mendojmë që me këtë skuadër të fitojmë në 23 qershor.
Sipas disa mediave është përfolur se ka patur edhe kontestime brenda kryesinë në lidhje me largimin e z.Malaj. A është e vërtetë kjo?
Kontestime nuk ka pasur, por ka pasur vetëm diskutime. E thashë edhe njëherë që në kuadër të një vendimi kolegjial ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin kolegjial, që do të thotë ka pasur diskutime por kjo nuk do të thotë se ai vendim që u mor është një vendim i kryesisë së Partisë Socialiste.
Largimi i z.Malaj, mendoni se do sillte një kosto për Partinë Socialiste?
Unë mendoj që z.Malaj vetë ka thënë që unë do marr vota për të majtën, duke qënë deputet i majtë. Natyrisht mendoj që një kosto duhet ta ketë por kjo duhet parë në qarkun përkatës. Ne vërtet kemi gjëra të përbashkëta me Qarkun e Vlorës, por nuk mendoj që duhet të barazvlerësohet Korça dhe Pogradeci me Vlorën në këtë rast.
Po deklaratat e ish-Kryeministrit Fatos Nano si i shikoni? Pak ditë më parë ai ka deklaruar se do t’i japë fund armëpushimit me z.Rama.
Për cilin armëpushim bëhet fjalë?! Se unë mendoj që z.Nano duhet të rreshtohet pranë ekipit fitues të “Rilindjes” së Partisë Socialiste, të paktën këtë rradhë. Pasi ka 8 vjet që po rrënohet Shqipëria nga kryeministri dhe nga kjo qeveri. Mendoj që është në nderin e tij që ai të rreshtohet në ekipin e Partisë Socialiste. Mendoj që ai duhet ta bëjë një veprim të tillë dhe është një çështje e tij që duhet ta kuptojë dhe ta bëjë një gjë të tillë.
Në fakt ai ka deklaruar se do mbështesë z.Malaj. Kjo do ishte një kosto për PS?
Është një çështje personale kjo, por realisht unë mendoj që ai duhet të mbështesë ekipin fitues të Partisë Socialiste.
Z.Fino këtë herë Partia Socialiste ka bërë lëvizje në qarqe. Ju nga qarku i Fierit garoni në Korçë. Erion Braçe pas shumë vitesh nga Berati, shkoi në Fier, kështu Majko e me rradhë. Në rastin tuaj, ka qënë një zgjedhje personale apo ka patur lidhje me plotësimin e një sërë kriteresh? Si është e vërteta?
Lëvizjet në qarqe nuk janë zgjedhje personale se çdo njëri personalisht mund të kërkojë zgjedhje të ndryshme por janë zgjidhje që janë bërë të studiuara nga zyra e organizimit dhe zyra elektorale e partisë sonë edhe në funksion të zgjedhjeve por dhe në funksion të problematikës organizative elektorale të partisë sonë. Nuk janë personale të individëve të veçantë.
Aktualisht Komisioni Qëndror i zgjedhjeve është duke funksionuar me katër anëtarë. PS do propozojë anëtarin e saj?
Është thënë disa herë për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe nuk mund të komentoj sërish. Ne nuk e kemi problem të vazhdojë dhe me katër anëtarë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›